Vrasja e Armando Beqirit/Angjelin Sterkaj: Ndodhi për arsye personale, si tregoj dot tani

Vrasja e Armando Beqirit/Angjelin Sterkaj: Ndodhi për…

Zbardhet dëshmia e të dyshuarit kryesor për vrasjen e shqiptarit Armando Beqiri në Rauðagerði të Islandës. Para hetuesëve, i arrestuari i vetëm Angjelin Sterkaj, ka bërë me dije se ka vepruar i vetëm për vrasjen, duke shtuar se gjithçka kishte ndodhur për arsye personale.

“Më vjen shumë keq që një numër i madh njerëzish, të cilët nuk kanë marrë pjesë në atë që bëra unë, ishin të përfshirë në këtë çështje dhe madje u desh të vendoseshin në paraburgim. Gjithçka ka ndodhur për arsye personale, të cilat kishin të bënin personalisht me mua dhe të ndjerin. U bënë kërcënime serioze dhe filloi rrjedha e ngjarjeve, të cilat nuk i shpjego dot për momentin,”-tha ai. Paraprakisht dyshohet se gjithçka ka nisur si mosmarrëveshje mes dy grupeve kriminale, por i arrestuari nuk konfirmon asgjë.

Ndërkohë që Policia ka raportuar edhe për një rrezik të mundshëm për hakmarrje. Pas informacioneve të marra në rrugë operative, dy persona janë prangosur pasi dyshohej se mund të hakmerreshin për vrasjen e Beqirit. Të dy rezultuan të ishin partnerë biznesi të të ndjerit.

Por ende vijon puna për gjetjen e armës që u përdor për vrasjen e të riut. Deri më tani, efektivët kanë zbuluar një armë në det, por nuk dihet se kut i përket. Ajo është dërguar në laborator për të mësuar nëse është përdorur për të qëlluar në Rauðagerði natën e vrasjes. Për shkak të mungesës së armës së krimit, ndaj Sterkajt nuk është ngritur ende një akuzë, çka do të thotë se nëse Angjelini nuk akuzohet deri më 15 maj, do të duhet që të lirohet.

Beqiri u vra pak minuta para mesnatës së 17 shkurtit, pasi parkoi makinën e tij në garazh, dhe po i drejtohej derës kryesore të banesës ku e priste gruaja shtatzënë dhe me fëmijën 15 muajsh. Beqiri mori më shumë se 5 plumba, në shpinë, qafë dhe kokë, duke ndërruar jetë në vend pavarësisht përpjekjeve të familjarëve që e dërguan me urgjencë në spital. Fqinjët e familjes shqiptare që jetonte prej disa vitesh në Reykjavik u shprehën se nuk i kishin dëgjuar krismat. Gjithashtu ata shtuan se i riu kishte ardhur në lagje më shumë se një vit më parë por që nuk kishin asnjë komunikim me të, teksa shtojnë se dukej njeri i qetë dhe jo problematik.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit