Vrasja e dyfishtë në Laç/ Policia: Arrestohet autori Eduart Lama dhe dy mjekë

Vrasja e dyfishtë në Laç/ Policia: Arrestohet…

Është arrestuar nga Policia Eduart Lama, i akuzuar si autori kryesor i vrasjes së dyfishtë më 30 maj në Laç, ku mbetën të vdekur Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.

Arrestimi i Lamës, është bërë në kuadër të operacionit policer ‘Klinika’, pasi 30-vjeçari, është plagosur gjatë të shtënave, ndërsa mjekohej në një klinikë private në Tiranë.

Policia ka arrestuar edhe dy mjekë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Mjekët janë identifikuar si Viktor Marku dhe Besim Lamaj.

I plagosur nga ngjarja e rëndë mbeti edhe Kreshnik Tusha. Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg.

Si ndodhi ngjarja në orët e vona të 30 majit

Teksa Bujar Hasani alias Lika dhe Paulin Gjergji alias Markaj, ndodheshin përpara një hoteli në autostradën Mamurras-Lezhë, disa persona janë afruar në hollin përpara hotelit duke qëlluar me breshëri. Deri më tani si autor i përfshirë në ngjarje ishte vetëm Kreshnik Tusha, 21-vjeçari i cili mori tre plumba në këmbë si pasojë e kundërpërgjigjes me armë nga viktima Bujar Lika. Në këtë moment, autorët largohen nga vendngjarja, ndërsa Tusha, me tre plumba në këmbë, është dërguar nga familjarët e tij drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore. Mëngjesin e sotëm policia ka arrestuar edhe Eduart Lamën, si autorin kryesor të vrasjes. Janë arrestuar gjithashtu edhe dy mjekë të cilët mjekonin këtë të fundit në klinikë private.

Një person i pestë vëzhgoi lëvizjet e biznesmenëve

Mësohet se i përfshirë në ngjarje është dhe një person i pestë, i cili ende nuk është identifikuar. Dyshohet se roli i tij ishte të vëzhgonte dy biznesmenët dhe lëvizjet e tyre përpara se të kryhej atentati. Një atentat në dukje i mirëorganizuar.

Pista e hetimit

E shkuara e Bujar Likës, mikut të Ervis Martinajt

Deri tani psita e hetimit mbetet e shkuara e viktimës Bujar Lika. 37-vjeçari rezulton një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2015 u përfshi në vrasjen e Enton Nikajt në Dajt, ndërsa një vit më pas u dënua nga gjykata me një vit burg.

Për vrasjen e Nikajt u dënuan Emiljano Tasho 16 vjet, Erjon Biraci 2 vjet, Ervis Martinaj 1 vit e 4 muaj, Mirsad Kuçana 1 vit e 4 muaj dhe Bujar Hasani 1 vit burg.

Viktima dyshohet se ishte mik i ngushtë i Ervis Martinajt, gjithashtu emër i njohur pas ngjarjes së 2018 në Bllok. Pranë trupit të viktimës që njihej me dy mbiemra, Lika e Hasani mbrëmjen e së shtunës u gjet një armë, që dyshohet se u përdor gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Hasani njihet si person me precedentë penale, por në disa raste ka mundur t’ia hedhe drejtësisë. Në ngjarjen ku mbeti i vrarë Enton Nikaj në zonën e Dajtit në Tiranë, Bujar Hasani, u deklarua i pafajshëm nga gjykata e Apelit Tiranë.

Burime për mediat bëjnë me dije se Lika kishte në pronësi një lokal në ish-Bllok, lokal të cilin e kishte kaluar në emër të motrës së tij.

Viktima e dytë, Paulin Gjergji alias Markaj

Paulin Gjergji alias Markaj, pronar i disa bizneseve në Shqipëri, nuk mundi t’i mbijetojë kësaj ngjarje. Gjergji nuk dihet me saktësi nëse ka qenë rastësisht në këtë ngjarje apo ka qenë edhe ai objektivi.

Mësohet se edhe Gjergji ishte i njohur në fushën e biznseve. Në pronësi të Paulin Gjergjit alias Markaj është kompania “Antoni New-York”, kompania e kazinove “Intertronic” dhe kompania e tregtimit të gazit në Shqipëri “Petro Gaz Albania-n”.

Sipas burimeve të policisë Paulin Gjergji, ka qenë dhe pronar i ish-Bar Restorant “Nicolini” në afërsi të ish-hotel “Dajtit”./Gazetaatdheu.com/

Njoftimi i Policisë:

Lezhë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Klinika”.

Operacioni  nga DVP Lezhë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

Zbardhet vrasja e dyfishtë e ndodhur në Kurbin, në orët e mbrëmjes së datës 30.05.2020.

Kapet dhe vihet në pranga autori kryesor i vrasjes së dyfishtë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim dhe tre bashkëpunëtorët në vrasje.

Gjithashtu, gjatë operacionit janë vënë në pranga edhe dy mjekë që mjekonin ilegalisht autorin e vrasjes në një klinikë private në Tiranë.

Në vijim të punës profesionale dhe hetimore të bërë nga  grupi i posaçëm hetimor, i ngritur me specialistë nga Drejtoria për Krimet Kundër Personit në Departamentin e  Policisë Kriminale, specialistë të DVP Lezhë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, bazuar në informacionet e marra, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Klinika”.

Në kuadër të operacionit u kap në një klinikë private në Tiranë, shtetasi E. L.,  30 vjeç, banues në Laç, i cili gjatë kryerjes së krimit ku mbetën të vrarë shtetasit B. H.,37 vjeç dhe P. Gj.,53 vjeç, si dhe u plagos shtetasi  K. T., 21 vjeç, pati shkëmbim zjarri dhe për pasojë u plagos në këmbë edhe ky shtetas, i cili po mjekohej ilegalisht në një klinikë private në Tiranë.

Po gjatë operacionit u vunë në pranga dy shtetas, mjekë në klinikën në të cilën mjekohej autori i vrasjes, konkretisht shtetasit V. M., 42 vjeç dhe B. L, 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për kapjen dhe prangosjen e tre bashkëpunëtorëve të shpallur në kërkim./Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit