Në vijim të hetimeve për vrasjen e Edmond alias Ali Sulës, me urdhër të Gjykatës së Tiranës janë kryer disa kontrolle në zonën e Bërxullës, pranë vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Mes ambienteve të kontrolluara ishte edhe banesa e shtetasit J. Koni, pasi ai rezulton të ketë pasur konflikte pronësie me viktimën, një pistë që mbetet në fokus të hetimeve.
Gjatë kontrollit, efektivët e Policisë së Tiranës sekuestruan një armë zjarri pistoletë, ndërsa Koni u arrestua për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Ai ndodhet në paraburgim, ndërsa paralelisht po verifikohet nëse ka lidhje me ekzekutimin e Sulës.
Për të zbardhur rolin e tij të mundshëm, hetuesit po kontrollojnë alibinë, lëvizjet e tij gjatë ditëve të fundit, si edhe po analizojnë tabulatet telefonike dhe prova të tjera që mund të ndihmojnë në dokumentimin e ngjarjes.
Edmond Sula u ekzekutua me një plumb në kokë në pragun e banesës së tij. Sipas dyshimeve paraprake të grupit hetimor, autori ka vepruar me profesionalizëm, çka ka forcuar dyshimet se bëhet fjalë për një vrasje të mirëorganizuar.
Hetimet vijojnë në disa drejtime, duke përfshirë konfliktet për pronat, si edhe aktivitetet e viktimës, mes tyre edhe një licencë për kultivimin e kanabisit në Maqedoninë e Veriut, me qëllim zbardhjen e plotë të motiveve dhe identifikimin e autorëve.