Vrasja e Eglant Koçit: Apeli nxjerr nga burgu Enea Zyferin, i dyshuari kryesor në arrati prej më shumë se 5 muajsh

Vrasja e Eglant Koçit: Apeli nxjerr nga…

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Enea Zyferin, 25-vjeçarin e dyshuar për përkrahjen e autorit të krimit në çështjen e rrëmbimit dhe vrasjes së 34-vjeçarit Eglant Koçi. Nga “arrest në burg”, gjykata ka vendosur që ai të qëndrojë në “arrest në shtëpi”.

Zyferi, i cili punonte si kamerier në lokalin e Armand Shakajt, do të qëndrojë në banesën e tij në Rajonin 2 në Korçë, pa pasur të drejtë të largohet prej saj. Ai dyshohet se ka ndihmuar Shakajn për të zhdukur gjurmët e krimit.

Por ndërsa Zyferi del nga qelia, Armand Shakaj, i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe vrasjen e Eglant Koçit, vijon të jetë në kërkim, më shumë se pesë muaj pas ngjarjes.

Eglant Koçi u raportua i zhdukur më 4 qershor 2026 në Tiranë. Pas rreth dy javësh kërkimesh, më 18 qershor, trupi i tij i pajetë u gjet në një humnerë në zonën e Cerrujës, mes Tiranës dhe Elbasanit.

Sipas hetimeve, Shakaj dyshohet se e ka rrëmbyer dhe vrarë 34-vjeçarin, ndërsa më pas ka tentuar të zhdukë gjurmët e krimit. Pamjet filmike të siguruara nga hetuesit e kanë dokumentuar atë duke nxjerrë nga lokali një qese të zezë dhe duke e vendosur në automjetin e tij.

Në dëshminë e tij, Zyferi ka deklaruar se e kishte parë Eglantin të hynte në lokal, por jo të dilte prej tij. Ai ka treguar gjithashtu se Shakaj i kishte kërkuar të fikte dritat e biznesit, me pretendimin se do të nxirrte një frigorifer, ndërsa të nesërmen e kishte porositur të lante makinën në një vend larg lokalit.

Një tjetër pistë e hetimit lidhet me konfliktet financiare dhe kriptomonedhat. Në kompjuterët e sekuestruar në biznesin e Shakajt janë zbuluar të dhëna për llogari kriptomonedhash, të cilat, sipas raportimeve, po shqyrtohen nga hetuesit për të zbardhur motivin e krimit.

Pavarësisht muajve të kaluar, Armand Shakaj ende nuk është lokalizuar dhe kapur nga autoritetet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit