Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit, arrestohet Ardian Çapja, shpallet në kërkim nipi i tij

Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit, arrestohet…

Ardian Çapja, një emër i njohur në qytetin e Elbasanit për shkak të tre atentateve të cilave u ka shpëtuar dhe ngjarjeve ku është përfshirë, është vënë në pranga. Çapja u arrestua në kuadër të operacionit “Krasta 2021”, gjatë orëve të natës së kaluar nga forcat RENEA, pasi akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e Gentian dhe Nezir Beqirit (babë e bir), ngjarje e ndodhur në vitin 2012.

Gjatë prangosjes së tij është sekuestruar edhe një kallashnikov. Ndërkohë, mësohet se për të njëjtin krim është shpallur në kërkim edhe Florenc Çapja, nipi i Ardianit. Në muajin janar të këtij viti, prokuroria rihapi hetimet për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, ngjarje e ndodhur në muajin gusht të vitit 2012.

Ishte Gjykata e Elbasanit, e cila i caktoi prokurorisë 14 detyra të rëndësishme, një prej tyre ishte të marrë në pyetje dy anëtarë të fisit Çapja, Ardian dhe Florenc Çapja. Xhaxhai dhe nipi, të njohur edhe si ‘liderët’ e grupit Çapja kanë dhënë sqarimet e tyre për dijeninë mbi ngjarjen e rëndë.

Emri i Ardian Çapjas në lidhje me vrasjen e dyfishtë doli pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ervis Bardhi. Ky i fundit ka deklaruar se Ardian dhe Florenc Çapja kanë financuar vrasjen e Gentian Beqirit për t’u hakmarrë për vrasjen e Sokol Çapjas.

Përveç marrjes në pyetje, pritet që Çapja të ballafaqohet edhe me Ervis Bardhin e Etien Canin. Ndërkohë që gjykata i ka kërkuar prokurorisë të bashkojë hetimin edhe për Olsi alias Jorgo Leku dhe Klajdi Dokoli, mik i familjes Çapja, gjithashtu të vënë në pranga për këtë krim të dyfishtë, pas rrëfimit të Bardhit. Bardhi tregoi gjithashtu se ka takuar Ardjan dhe Florenc Çapjan në zonën e Krrabës, ku prezent kanë qenë edhe Olsi Leku, Etjen Cani dhe Klajdi Dokoli.

 

  • Njoftimi i policisë ElbasanFinalizohet operacioni policor i koduar “Krasta 2021”. Operacioni i zhvilluar nga RENEA, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Gjatë operacionit është vënë në pranga një person me precedent të theksuar kriminal, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012. Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov. Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në bazë të informacioneve të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë, mëngjesin e sotëm, gjatë operacionit policor të koduar “Krasta 2021”, u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për shtetasin:Ardian Çopja alias Çapja, 53 vjeç, banues në Elbasan. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Florenc Çapja, 40 vjeç, banues në Elbasan. Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Këta shtetas, në vitin 2012, dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir). Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov. Vijon puna nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokuroritë përkatëse, për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve.
Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit