Prokuroria e Tiranës i ka komunikuar të shtunën Elvis Shkambit akuzën për “vrasje të funksionarëve publikë për shkak të detyrës”, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Shkambit, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg”, i është komunikuar edhe mbyllja e hetimeve për ngjarjen. Ndërkohë, ndaj tij rëndon edhe akuza për “vrasje në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë, për plagosjen e dy personave, babë e bir.
Gjon Shkambit, xhaxhait të Elvis Shkambit, akuza pritet t’i komunikohet të hënën. Ai ka deklaruar përmes mbrojtjes se nuk kishte dijeni për planet e nipit dhe se nuk e dinte se Elvisi do të ndërmerrte një veprim të tillë. Prokuroria, megjithatë, ka ngritur dyshime për rolin e tij në ngjarje. Në fazat e mëparshme të hetimit, ndaj Elvis Shkambit është hetuar edhe akuza për armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ndodhi më 6 tetor 2025, rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Gjatë një seance gjyqësore, Elvis Shkambi qëlloi me armë ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja dhe dy personave të tjerë, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ishin palë kundërshtare në një proces pronësie. Kalaja humbi jetën, ndërsa dy personat e tjerë mbetën të plagosur. Sipas Prokurorisë, të shtënat ndodhën pasi gjyqtari kishte lexuar vendimin në çështjen ku përballeshin familjet Shkambi dhe Kurtaj.