Vrasja e Hekuran Billës/ Identifikohet autori, shpallet në kërkim nga policia vëllai i Prel Markut

Vrasja e Hekuran Billës/ Identifikohet autori, shpallet…

Është identifikuar autori i vrasjes së 40-vjeçarit Hekuran Billa, te Komuna e Parisit, në Tiranë. Burime pranë Grupit Hetimor, bëjnë me dije se autori është ende në kërkim nga Policia.

Mësohet se personi i shpallur në kërkim është vëllai i Prel Markut, Viktor Marku. Vrasja erdhi si hakmarrje pasi Hekuran Billa ekzekutoi Prel Markun në Angli, në vitin 2006.

Ende nuk dihen bashkëpuntorët e 34-vjeçarit që qëlloi mbi Hekuran Billën. Kujtojmë se dy netë më parë, Hekuran Billa u ekzekutua me 11 plumba. Arma që u përdor nga ekzekutori është ‘MP5’ me silenciator.

Në momentin e ekzekutimit, Billa ndodhej në automjetin e tij BMW X6.

Pak minuta pas ngjarjes, një automjet u gjet i djegur në Pezë të Vogël, i cili dyshohet se u përdor nga autorët të cilët ekzekutuan Hekuran Billën.

Si ndodhi ngjarja?

Rreth orës 22:00 të mbrëmjes të së enjtes, teksa Hekuran Billa ndodhej në automjetin e tij tip ‘BMW X6’ në ‘Komunën e Parisit’, dyshohet se dy persona janë afruar dhe kanë qëlluar drejt tij, duke e lënë të vdekur në vend.

Raportohet se autorët e kanë gjurmuar Billën, i cili fillimisht ndodhej në një lokal. Më pas, ata kanë pritur momentin kur 40-vjeçari është futur në makinë dhe kanë qëlluar drej tij duke e lënë të vdekur në vend.

Sipas dëshmitarëve, një prej autorëve është identifikuar si një i ri me kapele, ndërsa raportohet se autori kryesor, është ndihmuar dhe nga dy persona të tjerë.

Autorët dyshohet se kanë përdorur armë me silenciator. Një gjë e tillë konfirmohet dhe nga dëshmitarët pasi shprehen se nuk kanë dëgjuar të shtëna, por vetëm automjetin e viktimës në ecje e sipër i cili u përplas me dy automjete të tjera.

Por kush është Hekuran Billa?

Hekuran Billa, i njohur ndryshe si Herland Bilali, është një emër i njohur për drejtësinë angleze. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Prel Markut, ngjarje e ndodhur në 2006. Ai u shpall fajtor për tre akuza, “Vrasje” , “Vrasje” mbetur ne tentative dy herë si dhe “Plagosja me dashje për të shaktuar lëndim të rëndë trupor”.

Dy persona të tjerë u plagosën nga plumbat gjatë të shtënave. Pronari i klubit Musa Rrahmani u plagos edhe u hodh nga dritarja e katit të dytë për të shpëtuar. Vendimi i drejtësisë angleze është njohur dhe nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Në një dokument zyrtar, thuhet se “vuajtja e dënimit për Billën të fillojë në 15 nëntor 2007”, pra një vit pas ngjarjes. Që do të thotë se Billa ka qenë i arrestuar në Shqipëri, por mbetet e paqartë se si ka dalë nga burgu.

 

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit