Vrasja e Kozetës, pritet të merren në pyetje Gjika dhe problematiku Dule

Vrasja e Kozetës, pritet të merren në…

Pas 27 vitesh, Prokuroria e Tiranës ka rihapur dosjen e vrasjes së Kozeta Hysenit, 20-vjeçares që u gjet e pajetë më 19 shkurt 1999 pranë kinoklubit në Qytetin Studenti. Vajza, e bija e prokurorit nga Vlora, Luftar Hyseni, ishte nxjerrë nga dhoma e konviktit mbrëmjen e 18 shkurtit, pasi një vajzë i kishte thënë se dikush po e kërkonte. Kozeta doli për të parë nga ballkoni, më pas zbriti nga godina dhe nuk u kthye më. Të nesërmen u gjet e vrarë, pasi ishte goditur me gurë në kokë. Për krimin nuk është dënuar apo akuzuar asnjë autor.

Në kuadër të hetimeve të reja, 28 persona pritet të merren në pyetje, mes tyre emra të përfshirë edhe në hetimet e mëparshme. Në listë janë Indrit Dule, Dritan Gjoka, dy oficerë policie që kanë hetuar çështjen, si dhe Mirela Metaj, Valbona Kasaj dhe Kozeta Bushi, shoqe dhome të viktimës. Një tjetër emër i rëndësishëm është Agim Karafili, i cili ishte shoqëruar pas ngjarjes dhe thuhej se kishte pasur lidhje me Kozetën, por ndaj tij nuk u ngrit akuzë; Karafili u vra disa vite më vonë. Në fokus pritet të rikthehet edhe pista e një personi të identifikuar si Dritan, i cili dyshohej se kishte dhunuar më herët Kozetën, ndërsa në dosje përmendej edhe punonjësi i policisë Gëzim Gelaj.

Një dëshmi e rëndësishme lidhet me Mirela K., vajzën që i tha Kozetës se dikush po e kërkonte atë natën e krimit. Sipas materialeve të dosjes, ajo u largua nga Shqipëria vetëm 12 ditë pas vrasjes dhe më vonë është marrë sërish në pyetje. Ndërkohë, në hetimet e para ishin marrë në pyetje mbi 20 persona dhe ishin ngritur disa pista, përfshirë dyshimin se autori mund të ishte një person i njohur për viktimën. Dëshmitë e shoqeve tregonin gjithashtu se Kozeta ishte ndjerë e frikësuar një ditë para vrasjes. Pas më shumë se dy dekadash, hetuesit pritet të rishqyrtojnë dëshmitë, alibitë dhe pistat e mbetura pezull për t’iu përgjigjur pyetjes: Kush e vrau Kozeta Hysenin?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit