Vrasja e Mihasit zbulon skandalin e prokurorisë! Si u fajsua një i vdekur

Vrasja e Mihasit zbulon skandalin e prokurorisë!…

“Ora News”, zbulon dokumentat gjyqësore që tregojnë se si prokurori, Emëror Kasaj, urdhëroi arrestimin në 22 janar 2019 të Erigers Mihasit për ngjarjen e marsit 2015 ku u grabitën me armë brenda në banesë dhe më pas u plagosën rëndë dy persona të moshuar, Naim Çiça dhe Antonela Çiça, dy prindërit e Elton Çiçës në Tepelenë. Dosja kundër Erigers Mihasit, vijon të qëndrojë e hapur ende në prokurorinë e Gjirokastrës.

Ndërsa personi i dyshuar për grabitjen e dy prindërve të Elton Çicos, Mihasi, vijonte që prej muajin korrik 2019 të gëzonte lirinë e tij. Ishte vetë prokurori Emëror Kasaj që në muajin janar 2019 arrestoi Mihasin për shkak të pranisë së një gjurme gishti në një nga paketat me cigare të gjetura në makinën e krimit tip “Audi A3”.

Dhe sërisht ishte vetë prokurori, Emëror Kasaj, që 6 muaj më vonë në korrik të 2019 do i kërkonte gjykatës së Gjirokastrës që ti ndryshonte masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje pranë policisë gjyqësore”.

Deri ditën e djeshme, për Mihasin ka qenë në fuqi kjo masë sigurimi e caktuar nga gjykata dhe prokurori. Por pavarësisht kësaj mase, Mihasi ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit, duke krijuar dyshime se ka thyer këtë masë sigurimi, siç është “detyrimi për paraqitje”. Mirëpo pavarësisht se Mihasi u lirua nga prokurori Kasaj, ky i fundit vijoi hetimet në gjendje të lirë për Mihasin për akuzën e “Grabitjes me armë”, kryer në bashkëpunim, “Plagosjes së rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të municioneve luftarake”.

Gjatë hetimeve, Kasaj realizoi një analizë ADN-je për Mihasin, por nuk përputhej profili i tij me disa njolla gjaku që u konstatuan në një palë pranga dhe në një xhup.

Po si u zbulua Mihasi në grabitjen në Tepelenë

Dalja në skenë e Erigers Mihasit për ngjarjen e Marsit 2015 e ndodhur në shtëpinë e Elton Çiços në Tepelenë, është bërë thuajse pas 4 vitesh. Ka qenë ngjarja e ndodhur në 4 Tetor 2018 në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj së bashku me Eljon Haton, ajo që çoi në pranga, Erigers Mihasin.

Ky i fundit është paraqitur në Spitalin Ushtarak, dhe policia më pas e ka shoqëruar dhe marrë shenjat e gishtave. Sipas aktit të ekspertimit daktiloskopik krahasues nr.10759 datë 11 Tetor 2018, ka rezultuar se “gjurma daktiloskopike e gjetur në në vendin e ngjarjes të vitit 2015 në Tepelenë, e shënuar me germën “H”, i përket shtetasit Erigers Gjergji Mihasi”.

Kjo provë ka mjaftuar që Emëror Kasaj të urdhërojë arrestimin e Mihasit në Yrshek të Tiranës dhe ta mbajë atë në burg për një periudhë kohe 6 mujore. Hetimi për këtë rast ka çuar në policinë e Gjirokastrës dhe dy femra, Ornela Seçin dhe Evisa Brajën. Në 22 janar 2019, prokuroria i ka bërë një paraqitje për njohje këtyre dy vajzave me disa personave të shoqëruar, mes të cilëve ka qenë dhe Erigers Mihasi.

Njëra nga vajzat, Ornela Seçi, ka identifikuar personin me Nr.3 që ishte Erigers Mihasi, se kishte ngrënë drekë në Durrës disa orë para se të ndodhte ngjarja. Ndërsa shoqja e saj, Evisa Braja, ka dhënë gjatë fazës së hetimeve dy deklarime të ndryshme, duke pohuar se për këtë çështje ishte kërcënuar me jetë dhe nga Fabian Gaxha, njeriu i mbetur i vrarë në ngjarjen e ish-Bllokut.

Argumenti i prokurorit, përgjegjës një i vdekur

Dy vite pas arrestimit të Erigers Mihasit, mësohet se në muajin Janar 2021, prokurori Emëror Kasaj, kërkoi në gjykatë pushimin e hetimeve për Mihasin të proceduar për tre vepra penale.

Kasaj, në vendimin e pushimit thotë se Mihasi dhe Fabian Gaxha kanë qenë shokë të ngushtë, dhe ka shumë gjasa që pjesëmarës në grabitjen dhe dhunimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë të ketë qenë Gaxha dhe jo Mihasi.

Kalimi i përgjegjësisë penale tek një person të vdekur si Fabian Gaxha, është shumë i dyshimtë në një kohë që gjurma e gishtit të Mihasit ishte gjetur në një paketë cigare e sekuestruar brenda makinës së krimit. Prokurori Kasaj thotë në vendimin e pushimit se Gaxha dhe Mihasi kanë qenë shokë të ngushtë.

Gaxha konsumonte duhan dhe shpesh herë blinte cigare në marketin që administrohet nga familja e Mihasit. Pikërisht në këtë market ka shumë gjasa që ti ketë shërbyer, Erigers Mihasi, ndaj dhe gjurma e gishtit në paketë përkon që është e tija.

Nisur nga kjo situatë, thotë prokurori, një argument i tillë për shitjen e cigares nga Mihasi në market, ka sens. Dhe në këto kushte është kërkuar në gjykatë, pushimi i akuzave, duke krijuar bindjen e fortë se pjesëmarës në dhunimin e banesës së Elton Çiços, ka qenë i vrari në ish-Bllok, Fabian Gaxha.

Në 25 mars 2021, Gjykata e Gjirokastrës pasi ishte njohur me hetimin e prokurorit Emëror Kasaj, vendosi të rrëzojë kërkesën e tij për pushimin e tre akuzave ndaj, Erigers Mihasit.

Gjykata gjeti shkelje dhe hetime të paplota, ndaj urdhëroi prokurorin Kasaj që të tërhiqte dosjen mbrapsht me qëllimin e vetëm për të kryer veprime hetimore shtesë për një periudhë kohe prej 3 muaj. Por 3 muaj janë mbushur në 25 qershor të vitit 2021, dhe çështja ende nuk ka shkuar në gjykatë për tu ballafaquar.

Nuk dihet me saktësi nëse prokurori Kasaj ka ushtruar Apelim kundër vendimi, por çështja e Mihasit pas vendimit të 25 marsit vijonte të qëndronte e hapur në prokurorinë Gjirokastër.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit