Vrasja e Nikulajt, gjykata lë në burg Ruben Saraivan

Vrasja e Nikulajt, gjykata lë në burg…

Ka dalë këtë të martë para togave të zeza të Gjykatës së Lezhës portugezi Ruben Saraiva, i dyshuari kryesor i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.

Gjyqtarët në seancën që u mbajt me dyer të mbyllura caktuan ndaj 28-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest me burg”. Vetë portugezi dhe avokati i tij mbrojtës nuk i kanë pranuar akuzat në sallën e gjyqit, duke u shprehur se nuk kanë dijeni për ngjarjen. Saraiva ka deklaruar se në vendin tonë ishte për pushime.

Ai u soll në vendin tonë në datën 31 dhjetor 2023, pasi ishte arrestuar në Marok dhe kërkohej nga drejtësia shqiptare.

Ngjarja që tronditi vendin ndodhi në 19 prill 2023, brenda ambienteve të lokalit të Nikulajt në Shëngjin. Hetimet kanë zbuluar se porositës i vrasjes ishte Edmond Haxhia, i cili e bëri këtë për hakëmarrje. Haxhia është arrestuar nga policia britanike, së bashku me shtetasit Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman, të cilët kanë marrë pjesë në realizimin e atentatit.

Sipas hetuesve, këta të fundit kishin rolin e vëzhguesit të maskuar si turistë në hotelin në pronësi të Nikulajt, dhe jepnin informacione për lëvizjet e tij te ekzekutuesi Saraiva. Në kërkim për ngjarjen e ndodhur në prill të vitit të kaluar, në kërkim vijon të jetë Harry Simpson.

Pas ngjarjes Ruben Saravia iku nga Shqipëria përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë. Nuk dihet se çfarë rruge ka ndjekur portugezi për të mbërritur deri në Marok ku edhe u arrestuan.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit