Vrasja e Nikulajt, Maroku pranon kërkesën për ekstradimin e autorit në Shqipëri

Vrasja e Nikulajt, Maroku pranon kërkesën për…

Vrasja e Nikulajt, Maroku pranon kërkesën për ekstradimin e autorit në Shqipëri

Maroku ka pranuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e autorit të vrasjes së biznesmenit, Ardian Nikulaj. Ruben Ribeiro Saraiva pritet të ekstradohen në Shqipëri, ku do të ballafaqohet me akuzat që rëndojnë mbi të.

Saraiva dyshohet të jetë paguar për kryerjen e atentatit ndaj biznesmenit Adrian Nikulaj, i cili u vra me 7 plumba në ambientet e lokalit të tij, teksa ishte duke pirë kafe.

Rreth një muaj më parë autoritetet marokene i kanë përcjellë homologëve të tyre shqiptarë aparatin celular të Ruben Saraivës. Komunikimet që autori i dyshuar ka shkëmbyer me persona të tjerë do t’u shërbej hetuesve për të pasur prova të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë qe ndodhi më 19 prill të këtij viti, brenda ambienteve të hotelit të Nikulajt në Shëngjin.

Të arrestuar në Britani të Madhe janë pjesa tjetër e grupit kriminal, Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, për të cilët akoma nuk ka një vendim ekstradimi në Shqipëri.

Organizator i vrasjes së Nikulajt ishte shqiptari Edmond Haxhia, ndërsa 4 britanikët, së bashku me Simson kishin rolin e vëzhguesve. Sa i përket Saraivës, ai ishte personi që e qëlloi atë për vdekje.

Policia dyshon se ekzekutimi i biznesmenit Nikulaj është bërë për gjakmarrje. Oficerët e policisë po hetojnë mbi konfliktin 20 vjeçar që Nikulaj ka me fisin Lekstakaj.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit