Vrasja e Pëllumb Metës, nënës i ndalohet të takojë fëmijët dhe komunikojë me ta në qeli

Vrasja e Pëllumb Metës, nënës i ndalohet…

Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur misterin e vrasjes së Pëllumb Metës, edhe pse është e bija ajo që deklaron se e ka ekzekutuar, pistë që nga policia dhe prokuroria duket se është e pabesueshme. Tashmë, një pistë tjetër që po hetohet është dhe ajo e konflikteve pasurore të fëmijëve dhe gruas me viktimën. Në ditët e fundit, ndërsa tre fëmijët ndodhen në burg, nëna e tyre është ndaluar që t’i vizitojë dhe të ketë kontakt me të. Më herët ajo i ka vizituar rregullisht, duke u dërguar ushqim, por tashmë Prokuroria ka vendosur që të mos e lejojë. Në ditët në vijim pritet që të ketë të tjera zhvillime nga hetimet, të cilat do të mund të hedhin dritë mbi këtë vrasje makabre dhe plot me mistere.

Më herët u raportua se një pistë e fortë ku po hetohet është ajo e konflikteve pasurore për tokën, ku personazh kyç është djali i madh i Pëllumbit, Hyseni. Viktima kishte rreth 12 dynymë tokë dhe gjatë kontrolleve në banesë policia nuk i ka gjetur dokumentet e kësaj sipërfaqeje, e cila ishte nxjerrë edhe në shitje dhe vlera e saj shkonte me mijëra euro.

Letrat e tokës i mbante djali i madh, që i ka thënë motrës të pranojë krimin pasi me lekët e tokës që do shiste do ta nxirrte nga burgu. Në murin e kasolles ku fëmijët varrosën të atin, shkruhet “Eni milioneri, 1 milionë dollar”. Djalin e madh të Pëllumbit Hysenin e thërrisnin shkurt Eni. Hetuesit po hetojnë edhe një lidhje të dyshuar jashtëmartesore të viktimës prej vitesh, ku dyshohet se në dijeni ishin gruaja e Pëllumbit dhe fëmijët. Për të vërtetuar se kush qëlloi mbi trupin e babait, hetuesit kanë provuar për qitje të tre fëmijët si dhe i kanë vënë në provë nëse dinë të hapin gropë.

Vëllai dhe motra e viktimës kanë akuzuar bashkëshorten e Pëllumbit, Blerinën, si personin kryesor që ka gisht në vrasjen e 49-vjeçarit. Ata hedhin edhe hipoteza se një person tjetër i jashtëm ka marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tyre, si dhe dyshojnë se Blerina ka qenë ajo që ka vrarë edhe nënën e Pëllumbit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit