Vrasja e policit nga dora e 21-vjeçarit/ Oficerja e DVP në Lezhë: Vlejmë një hiç!

Vrasja e policit nga dora e 21-vjeçarit/…

Ekzekutimi i oficerit Saimir Hoxha në Lezhë nga i riu 21 vjeçar Aldi Rama, solli shumë reagime. Ngjarja ka ngritur debate në vend, ndërsa për krimin në fjalë ka komentuar edhe Silvana Jakaj, Oficere pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë. Sipas saj,jeta e policit nuk është aspak e sigurtë, ndërsa me ironi shprehet se një polic përdoret keqas nga politika. Ajo shprehet e revoltuar pas tragjedisë, ndërsa shprhet se jeta e policit vlen një hiç.

Nga Silvana Jakaj, Oficere pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Sa vlen një punonjës policie? Vlen aq sa të përdoret keqas nga politika, aq sa të përgojohet vazhdimisht nga publiku,të vihet në lojë nga programet e humorit, të kritikohet nga media apo të mos përkrahet nga prokurorët dhe gjyqtarët. Ne vlejmë aq sa na cakton vlerën eprori injorant, me grada të marra diku në Sauk, ashtu siç unë dhe ti mik/e i/e dashur e dimë si merren gradat. Ne vlejmë sa 570 mijë lekshi që na kalon në llogari në fund të muajit, sa ato orët suplemtentare që kalohen kur ka nge financa ti kalojë, sa pajisjet dhe uniformat që i marrim kur bëhet sefte tenderi i shumë-kërkuar, aq sa ajo rritja e rrogës që nuk ndodh kurrë. Vlejmë sa epiteti “bark-derra”, me siguri vlejmë papërfillshmërisht më pak sesa parcelat e kultivuara me “bimën e jetës”, dhe shumë herë më pak sesa kolegët tanë që me kënaqësi ofrohen të përdoren nga grupet kriminale si ato gjethet e palmave që përdoren si erashkë për “lartmadhëritë”. Në fund të ditës, vlejmë një hiç se nuk arrijmë të mbrojmë veten, jetën tonë dhe të kolegëve tanë. Dhe ajo që më rrit dozën e revoltës si qytetare, por sidomos si oficere policie, janë fjalimet e rëndomta të disa zyrtarëve, sidomos kur vriten efektivë policie, të cilët me paftyrësinë më të madhe, mbajnë fjalë ngushëllimi, por sapo mbin bari mbi varrin e policit të vrarë, vrapojnë të bëjnë “krushqi” me vrasësit e policit. Rrallëherë institucionet, i shkojnë deri në fund luftës për drejtësi ndaj atyre që nuk i kursyen sakrificat, gjakun dhe jetën në luftën kundër krimit, por vërtetë shpresoj që këtë herë për ty Saimir të vihet drejtësi. Pushofsh në paqe koleg i mirë, sensi yt i humorit dhe batutat e tua me siguri do i mungojnë gjithkujt që të ka njohur, përfshirë dhe ata memecët që kurrë nuk kundërshtojnë e nuk ngrenë zë nga frika e transferimit “për nevoja pune”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit