Vrasja e portugezit në Ksamil: Arrestohet polici që punonte si bodyguard me Sokrat Vatën

Vrasja e portugezit në Ksamil: Arrestohet polici…

Detaje të reja dalin nga hetimet për vrasjen e një 20-vjeçari të huaj në Ksamil, ngjarje për të cilën është arrestuar një 29-vjeçar.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar edhe një punonjës të Policisë së Shtetit, specialist hetimi në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen dhe se ka ndihmuar autorin e dyshuar të largohej nga vendngjarja.

Punonjësi i policisë, krahas detyrës së tij zyrtare, punonte edhe si bodyguard pranë një kompanie sigurie, në të njëjtin grup ku ishte i angazhuar edhe 29-vjeçari i arrestuar.

Në kuadër të hetimeve, janë shoqëruar më shumë se 30 persona, të cilët po merren në pyetje për të zbardhur dinamikën e konfliktit, momentet që i paraprinë vrasjes dhe rolin e personave që ndodheshin në vendngjarje.

I dyshuari për vrasjen u arrestua disa orë pas ngjarjes në aksin Levan-Fier, gjatë një operacioni të përbashkët të strukturave të Policisë së Vlorës dhe Fierit. Ai u gjet i fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke, ndërsa në makinë ndodhej edhe një shtetas tjetër turk. Të dy u shoqëruan nga policia për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, një tjetër detaj është saktësuar pas verifikimeve të autoriteteve. Fillimisht, policia bëri me dije se viktima ishte një shtetas francez, por pas verifikimit të dokumentacionit dhe të dhënave të tij, rezultoi se 20-vjeçari ishte shtetas portugez.

I riu u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit përpara një lokali në Ksamil. Sipas të dhënave paraprake, ai kishte marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe kraharor, plagë që i shkaktuan vdekjen.

20-vjeçari ndodhej në Ksamil së bashku me një grup turistësh të huaj, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti që përfundoi në mënyrë tragjike lidhej me një vajzë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit person të përfshirë në konflikt.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit