20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes kishte ardhur për pushime në Ksamil përmes një agjencie turistike të huaj, së bashku me një grup të rinjsh nga Portugalia dhe Franca. Sipas të dhënave të reja, ai u përfshi në një konflikt me punonjës të kompleksit luksoz “Principotes”, ku fillimisht dyshohet se u godit me grushte dhe më pas u qëllua disa herë me thikë. Trupi i pajetë i turistit mbeti jashtë ambienteve të kompleksit për rreth tre orë, deri në momentin kur u konstatua nga Policia.
Një ditë pas ngjarjes, dëshmitë e turistëve të tjerë që ndodheshin në lokal kanë hedhur dritë mbi momentet pas konfliktit. Të rinjtë kanë deklaruar para grupit hetimor se nuk e kanë parë momentin e vrasjes dhe se e mësuan për ngjarjen vetëm në mëngjes, kur në vendngjarje mbërriti Policia. Ndërkohë, Policia ka arrestuar 11 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë. Autori i dyshuar, Sokrat Lipan alias Vata, u kap rreth pesë orë pas krimit në Levan të Fierit, i fshehur në bagazhin e një automjeti, ndërsa në pranga ranë edhe dy shtetasit turq që po e transportonin drejt Tiranës.
Sipas dinamikës së zbardhur nga hetuesit, David Heurtevent dyshohet se është konfliktuar fillimisht me 20-vjeçarin, ndërsa më pas në përleshje janë përfshirë kamarierët Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, të cilët dyshohet se e kanë goditur me grushte. Më pas, Sokrat Vata dyshohet se e ka qëlluar me thikë, ndërsa Heurtevent është shpallur në kërkim dhe të dy akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim. Në ambientet e lokalit ndodheshin edhe bodyguardët Miosid Matushaj, Romeo Shehu dhe Kristi Koshi, të cilët akuzohen se nuk ndërhynë për parandalimin e konfliktit dhe nuk njoftuan Policinë e Shtetit pas ngjarjes.