Vrasja e Luka Beqirajt, 39-vjeçarit nga Vlora që u ekzekutua në Spanjë, ka rikthyer në vëmendje emrin e tij në kronikën e zezë dhe të kaluarën e lidhur me një prej operacioneve më të bujshme kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe armëve. Beqiraj, i njohur edhe me pseudonimin “Kriols”, rezulton të ketë qenë mes personave të arrestuar në vitin 2019, gjatë operacionit shqiptaro-italian të koduar “Lulet e Pranverës”.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 nëntor, në një kompleks sportiv në zonën e Orihuela Costa, në provincën e Alikantes. Sipas mediave spanjolle, 39-vjeçari u qëllua me armë zjarri nga një person, i cili pas sulmit u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, në afërsi të Playa Flamenca.
Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit, ndërsa ende nuk është përcaktuar motivi i atentatit. Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me mundësinë e një larjeje hesapesh, për shkak të konflikteve të mundshme të mbartura nga e kaluara. Deri tani, megjithatë, nuk ka asnjë të dhënë zyrtare që të konfirmojë një lidhje mes vrasjes dhe aktivitetit të mëparshëm kriminal të viktimës.
Nga një arrestim në Vlorë te operacioni ndërkombëtar i vitit 2019
Emri i Luka Beqirajt ishte shfaqur në kronikat policore shqiptare edhe më herët. Në vitin 2016, ai u arrestua pas një konflikti të dhunshëm, ku dyshohej se kishte sulmuar dhe plagosur rëndë një person.
Por rasti që e vendosi emrin e tij në një dosje me përmasa ndërkombëtare ishte operacioni “Lulet e Pranverës”, i zhvilluar në shkurt të vitit 2019. Hetimet, të cilat kishin zgjatur rreth dy vjet, kishin në fokus disa grupe kriminale që dyshohej se koordinonin aktivitetin e tyre mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në përfundim të operacionit u lëshuan 27 urdhërarreste, nga të cilat 21 për shtetas shqiptarë dhe gjashtë për shtetas italianë. Në aksion morën pjesë edhe më shumë se 100 efektivë të strukturave ligjzbatuese italiane.
Mes personave të arrestuar ishte edhe Beqiraj, i dyshuar për përfshirje në një rrjet që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike, armëve dhe municioneve luftarake drejt Italisë.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimeve, organizata kishte qendrën kryesore të aktivitetit në provincën e Leçes, por shtrirja e saj përfshinte edhe disa rajone të tjera italiane, si Kalabria, Toskana, Emilia-Romanja, Sicilia, Liguria dhe Lombardia.
Dyshimet e hetuesve ishin se grupi siguronte kryesisht kanabis në Shqipëri, të cilin më pas e transportonte përmes detit Adriatik drejt Italisë. Krahas lëndëve narkotike, në kuadër të hetimit u evidentuan edhe dyshime për trafikimin e armëve dhe municioneve.
Në territorin shqiptar, operacioni u shoqërua me arrestimin e gjashtë personave në Vlorë, mes të cilëve edhe Luka Beqiraj. Më 14 shkurt 2019, Gjykata e Vlorës vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg” për një periudhë 40-ditore, deri në mbërritjen e dokumentacionit të kërkuar nga pala italiane.
Nuk ka të dhëna të plota publike se si përfundoi më pas procedimi penal ndaj Beqirajt dhe nëse ai u shpall përfundimisht fajtor për akuzat që rëndonin mbi të në atë kohë.
Costa Blanca, zonë e njohur për aktivitetin e grupeve kriminale
Vrasja e shqiptarit ndodhi në Costa Blanca, një zonë bregdetare e Spanjës që është përmendur vazhdimisht në raportimet e mediave vendase për praninë e individëve dhe organizatave kriminale me shtrirje ndërkombëtare.
Pozicioni strategjik, infrastruktura portuale dhe aeroportuale, si dhe numri i lartë i turistëve dhe banorëve të huaj, e kanë kthyer këtë rajon në një pikë të rëndësishme për lëvizjen e personave dhe aktiviteteve kriminale përtej kufijve.
Për gazetën “El Español”, eksperti i sigurisë José Luis Gil, përfaqësues në Spanjë i Shoqatës Europiane të Analistëve të Inteligjencës Kriminale, ka komentuar edhe mënyrën se si kryhen atentatet në hapësira publike. Sipas tij, vrasje të tilla mund të kenë funksionin e një mesazhi kërcënues ndaj grupeve rivale, por mund të jenë edhe rezultat i përplasjeve dhe konflikteve brenda vetë organizatave kriminale.
Për momentin, këto mbeten vetëm pista të mundshme në raport me ngjarjen ku humbi jetën Luka Beqiraj. Nuk është konfirmuar nëse atentati kishte lidhje me të kaluarën e tij, me ndonjë konflikt të mbartur apo me arsye të tjera.
Garda Civile spanjolle vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Identifikimi i autorit dhe përcaktimi i motivit pritet të jenë elementët kyç për të kuptuar se çfarë fshihet pas vrasjes së 39-vjeçarit shqiptar në Costa Blanca.