
Autopsia do të përcaktojë nëse vrasja e të riut shqiptar ndodhi gjatë vetëmbrojtjes apo ishte një reagim i tepruar
Prokuroria e Vallo della Lucania-s po përqendrohet në dy pista kryesore pas ngjarjes së rëndë të ndodhur të dielën e kaluar në Centola, ku një i ri shqiptar mbeti i vrarë gjatë një tentative për grabitje. Hetimet kanë si synim të zbardhin dinamikën e përleshjes së përgjakshme dhe mënyrën se si u fsheh trupi i viktimës.
Autopsia pritet të japë sqarime të rëndësishme rreth shkrepjeve të armës që shkaktuan vdekjen e 25-vjeçarit shqiptar, Rivaldo Rusi. Po ashtu, autoritetet po shqyrtojnë nëse sipërmarrësi italian, Aurelio Valiante, i moshës 60-vjeçare, ka vepruar i vetëm në fshehjen e trupit apo në bashkëpunim me ndonjë tjetër.
Vetë Valiante, i shoqëruar nga avokati i tij Antonello Natale, është paraqitur në mënyrë të vullnetshme në Prokurori. Ai ka pranuar gjatë marrjes në pyetje se ka qëlluar me armë zjarri të riun shqiptar dhe më pas ka fshehur trupin. Gjatë deklaratës së tij ai ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike.
Pamjet në vendin e ngjarjes kanë qenë të dhimbshme. Familjarët e të ndjerit, përfshirë bashkëshorten dhe vjehrrën, kanë shpërthyer në lot dhe britma: “Gaboi, por nuk meritonte të vdiste ashtu. U varros si kafshë. Na e mori babain e fëmijës.”
Ndërkohë, një tjetër shtetas shqiptar, i cili ishte pjesë e grupit që dyshohet për tentativën e grabitjes, ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Cardarelli të Napolit. Deklaratat e tij pritet të jenë kyçe për të sqaruar nëse reagimi i Valiantes ishte në përputhje me vetëmbrojtjen. Një i tretë është ende në arrati dhe kërkimi për të vijon.
Për momentin, sipërmarrësi italian po hetohet për akuza të rënda: vrasje, plagosje të rëndë dhe fshehje kufome. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që ndaj tij të merren masa të menjëhershme sigurie në orët e ardhshme, në varësi të zhvillimit të hetimeve.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e Foria di Centola dhe mbarë zonën e Cilentos. Kryebashkiaku Rosario Pirrone deklaroi se banorët janë të shqetësuar dhe mbështesin të gjitha palët e përfshira. Rasti ka rikthyer debatet për kufirin e hollë mes vetëmbrojtjes dhe veprimit të tepruar, duke nxitur një ndjesi të fortë pasigurie në publik.