Vrasja në 'Komunën e Parisit'/ Hekuran Billa dyshohet se u ekzekutua nga vrasës me pagesë

Vrasja në ‘Komunën e Parisit’/ Hekuran Billa…

Zbardhen të tjera detaje nga ekzekutimi me armë zjarri i 40-vjeçarit Hekuran Billa, një natë më parë në Tiranë. Një nga pistat e hetimit, është ajo e hakmarrjes. Dyshohet se ekzekutimi i 40-vjeçarit u krye nga vrasës me pagesë.

Në vendngjarje janë sekuestruar rreth 30 gëzhoja. Ndërkohë, siç raportohet, arma MP5 automatike e përdorur në krim është e ngjashme me ato që përdor garda dhe është çuar në laborator. Kjo armë nuk rezulton e regjistruar në Shqipëri.

Po ashtu edhe mjeti ‘Benz’ me portobagazh i cili u dogj pak minuta pas ngjarjes, nuk rezulton i regjistruar. Targat e përdorura AA829 kanë qenë të vjedhura në Lezhë një vit më parë nga një mjet ‘Renault’.

Burime për mediat bëjnë me dije se Billa u ekzekutua me dy plumba, teksa ishte në ecje e sipër me automjetin e tij tip ‘BMW X6’. Ende nuk dihet kush janë autorët, por mësohet se policia është vënë në ndjekje të tyre, si dhe po bëhet këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë për t’i identifikuar.

Pak minuta pas ngjarjes, një automjet u gjet i djegur në Pezë të Vogël, i cili dyshohet se u përdor nga autorët të cilët ekzekutuan Hekuran Billën.

Si ndodhi ngjarja?

Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së kaluar, teksa Hekuran Billa ndodhej në automjetin e tij tip ‘BMW X6’ në ‘Komunën e Parisit’, dyshohet se dy persona janë afruar dhe kanë qëlluar drejt tij dy herë, duke e lënë të vdekur në vend.

Raportohet se autorët e kanë gjurmuar Billën, i cili fillimisht ndodhej në një lokal. Më pas, ata kanë pritur momentin kur 40-vjeçari është futur në makinë dhe kanë qëlluar drej tij duke e lënë të vdekur në vend.

Sipas dëshmitarëve, një prej autorëve është identifikuar si një i ri me kapele, ndërsa raportohet se autori kryesor, është ndihmuar dhe nga dy persona të tjerë.

Autorët dyshohet se kanë përdorur armë me silenciator. Një gjë e tillë konfirmohet dhe nga dëshmitarët pasi shprehen se nuk kanë dëgjuar të shtëna, por vetëm automjetin e viktimës në ecje e sipër i cili u përplas me dy automjete të tjera.

Por kush është Hekuran Billa?

Hekuran Billa, i njohur ndryshe si Herland Bilali, është një emër i njohur për drejtësinë angleze. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Prel Markut, ngjarje e ndodhur në 2006. Ai u shpall fajtor për tre akuza, “Vrasje” , “Vrasje” mbetur ne tentative dy herë si dhe “Plagosja me dashje për të shaktuar lëndim të rëndë trupor”.

Dy persona të tjerë u plagosën nga plumbat gjatë të shtënave. Pronari i klubit Musa Rrahmani u plagos edhe u hodh nga dritarja e katit të dytë për të shpëtuar. Vendimi i drejtësisë angleze është njohur dhe nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Në një dokument zyrtar, thuhet se “vuajtja e dënimit për Billën të fillojë në 15 nëntor 2007”, pra një vit pas ngjarjes. Që do të thotë se Billa ka qenë i arrestuar në Shqipëri, por mbetet e paqartë se si ka dalë nga burgu.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit