Kanë dalë detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Prekalit, në Shkodër, ku një person u gjet i pajetë brenda automjetit të tij.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi Aleksandër Koçeku.
Pas marrjes së njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.
Në të njëjtën kohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për administrimin e provave, dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
Deri në këtë fazë të hetimeve, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi motivin e vrasjes, ndërsa priten informacione të tjera zyrtare në vijim.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, është gjetur në automjet, i dyshuar i vrarë me armë zjarri, shtetasi A. K.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.