Andri Vulaj, i dyshuari për vrasjen e Ylber Lulit më 8 shtator në Shkodër, do të qëndrojë në burg. Gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për 25-vjeçarin, i cili gjatë seancës gjyqësore ka zgjedhur të heshtë dhe nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ngjarjen. Të njëjtën qëndrim ai ka mbajtur edhe gjatë marrjes në pyetje nga policia.
Vulaj është paraqitur para gjykatës me dëmtime të dukshme në fytyrë, krah dhe qafë, të marra gjatë konfliktit që i parapriu vrasjes.
Në dëshminë e tij, babai i viktimës, Qamil Luli, ka treguar se ishte në gjumë kur dëgjoi zhurma nga përplasja mes djalit të tij dhe autorit të dyshuar. Kur ka dalë në oborr, ai ka pranuar se Vulaj ishte goditur me thikë. Pak më pas, sipas dëshmisë, djali i tij Ylber Luli është qëlluar me armë zjarri në pjesën e barkut dhe ka humbur jetën.
Prokuroria ka paraqitur një tjetër detaj gjatë seancës: Vulaj dyshohet se kishte shkuar pranë banesës së viktimës i shoqëruar nga dy persona që Ylber Luli i njihte. Sipas akuzës, vetë viktima u kishte dërguar SMS dy shokëve të tij duke u kërkuar që ta sillnin Vulajn në banesë, me qëllim që të sqaronin konfliktin mes tyre.
Por përplasja nuk përfundoi me sqarim. Sipas prokurorisë, sapo kanë mbërritur në banesë, dy të rinjtë janë përleshur. Pas plagosjes me thikë të Vulajt, ky i fundit dyshohet se ka nxjerrë një pistoletë të vogël dhe ka qëlluar nga afër, duke i shkaktuar plagën fatale Ylber Lulit.
Prokurorja Albulena Kuliçi kërkoi “arrest me burg”, kërkesë që u pranua nga gjyqtarja Zamira Lila. Kështu, Andri Vulaj do të qëndrojë në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.
Dy të rinjtë dyshohet se e kishin nisur konfliktin më herët në një lokal në pedonalen e Shkodrës, ku debati mes tyre mësohet se kishte nisur pas një përplasjeje me fjalët: “Pse më sheh?”. Nga lokali, konflikti u zhvendos në banesën e Ylber Lulit, ku përfundoi në mënyrë tragjike.
Mbrojtja pritet të njihet me aktet dhe provat e administruara nga prokuroria. Pas kësaj, Vulaj mund të vendosë të japë versionin e tij për ngjarjen. Për momentin, sipas burimeve, ai ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.