
Detajet që po dalin rreth ngjarjes në Shkozë po e konfuzojnë edhe më shumë situatën. Fillimisht u tha se autori ishte 43-vjeçari Roland Sinani , i cili mendohej vrau me armë zjarri kunatën e tij Migena Sinani, nënë e dy fëmijëve, teksa flinte në dhomën e saj.
Por, fakti që arma u gjet shumë larg turpit të tij ka shtuar dyshimet se në krim mund të jetë i përfshirë një person i tretë. Ndërsa tani është zbardhur dëshmia e nënës së Rolandit e cila i kthen dyshimet sërish tek ai si autor i ngjarjes.
Mësohet se nëna e autorit e ka parë të birin me armë dhe i ka kërkuar të shkojë të flejë, teksa më pas ka dëgjuar të shtënat. “Unë e kam parë djalin me armë në dorë, i thashë ik të flesh. Kur dëgjova krismat shkova direkt te dhoma e nuses dhe gjeta vajzën e vogël duke qarë”, ka dëshmuar nëna e autorit në polici.
Ngjarja ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit në banesën e familjes Sinani. Sipas të dhënave, autori ka shkuar në dhomën ku flinte gruaja e vëllait të tij dhe mbesa 2 vjeçe dhe e ka qëlluar me armë. Pas kësaj ka dalë në oborr dhe ka vrarë veten. Ndërkohë i vëllai nuk ndodhej në banesë, por në punë pasi punonte si taksist.
Sipas dëshmive, babai i autorit, me probleme skleroze, ka shkuar menjëherë të djali i tij kur ai dyshohet se ka qëlluar veten. Ka dyshime se i moshuari e ka larguar armën nga trupi i të birit. Gjithsesi policia po heton të gjitha pistat e mundshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes.