Vrau dhe paketoi 38-vjeçaren në valixhe, autori pranon krimin makabër

Vrau dhe paketoi 38-vjeçaren në valixhe, autori…

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e 38-vjeçares skoceze Elisabeth-Jane Ross, ngjarje që tronditi opinionin publik në Greqi. Autoritetet greke kanë vënë në pranga një 26-vjeçar, i cili sipas policisë ka pranuar se është autori i krimit.

Sipas hetuesve, pas vrasjes ai dyshohet se futi trupin e viktimës në një valixhe dhe e transportoi drejt një ndërtese të braktisur në Athinë, ku kufoma u zbulua disa ditë më vonë. Përveç akuzës për vrasje, ndaj tij rëndojnë edhe akuzat për grabitje dhe shkelje të ligjit për armët.

Hetimet kanë zbuluar se i dyshuari dyshohet gjithashtu se përdori kartën bankare të 38-vjeçares për të tërhequr para pas vdekjes së saj. Po ashtu, autoritetet besojnë se nga telefoni i viktimës janë dërguar mesazhe për disa ditë, me qëllim krijimin e përshtypjes se ajo ishte ende gjallë.

Trupi i Elisabeth-Jane Ross u gjet më 18 korrik nga një person i pastrehë, brenda një valixheje në një godinë të braktisur në Athinë. Sipas ekspertizës paraprake mjeko-ligjore, ajo kishte ndërruar jetë pesë deri në shtatë ditë para se të zbulohej.

Identiteti i saj u konfirmua përmes gjurmëve të gishtërinjve. Sipas autoriteteve, 38-vjeçarja, e cila besohet se ishte nga Edinburgu, kishte mbërritur në Greqi më 26 qershor. Fillimisht ajo qëndroi te disa miq në Pire, ndërsa më pas kishte planifikuar të takohej me disa shtetas amerikanë në një zonë tjetër të Athinës. Hetuesit ende po përpiqen të përcaktojnë nëse ky takim u zhvillua.

Gjatë kontrollit në banesën e 26-vjeçarit, policia sekuestroi një pistoletë dhe një thikë, të cilat janë dërguar për ekspertizë në kuadër të hetimeve.

Ndërkohë, Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka bërë të ditur se po ofron mbështetje konsullore për familjen e viktimës dhe po bashkëpunon ngushtë me autoritetet greke. Edhe Policia e Skocisë ka konfirmuar se është përfshirë në hetime, duke asistuar homologët grekë dhe duke mbështetur familjen e Elisabeth-Jane Ross.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit