Darment Keli, i cili vrau Amarlido Hoxhallarin pasi i ngacmoi të fejuarën doli në gjyq për të marrë vendimin e Gjykatës.
25-vjeçari mbuloi fytyrën me duar para trupës gjykuese dhe rrëfeu se iu errën sytë pasi Hoxhallari i ngacmoi të fejuarën.
“Përcolla të fejuarën te parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon, pashë që një motor po e ndiqte dhe personi po fliste duke e ndjekur paralel makinën. I fola nga ballkoni dhe më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi fizikisht. Pas përplasjes me të, në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia, në gjaknxehtësi e sipër. Ka qenë sherr i momentit dhe jo i paramenduar. Nuk kam pasur qëllim vrasjen e tij”, – dëshmoi ai duke u vetëmbrojtur.
Ndonëse Keli këmbëngul se nuk e njihte viktimën, grupi hetimor po heton nëse ata njiheshin apo kanë pasur konflikte më herët.
Gjithashtu, përveç pistës së ngjarjes, po hetohen edhe shkaqe të tjera, sepse viktima ka qenë emër i njohur për drejtësinë, ndonëse nuk ka rezultuar fajtor apo i përfshirë në një mori ngjarjesh të ndodhura më herët.