Vrau shqiptarin për 5 € dhe trupin ia hodhi kafshëve për ta ngrënë, Prokuroria kërkon mbi 22 vite burg për autorin

Vrau shqiptarin për 5 € dhe trupin…

Prokuroria spanjolle ka kërkuar 22 vite e 5 muaj burg për një 52-vjeçar, i njohur me nofkën “El Seco”, i cili akuzohet për vrasjen e të riut shqiptar Artjol Ramaj. Ky i fundit u zhduk më 2 mars 2023 në Riudarenes, një zonë në provincën e Gironës, ndërsa rasti u zbulua disa javë më vonë pas gjetjes së mbetjeve të tij mortore.

Sipas dosjes hetimore, Ramaj jetonte prej fundit të vitit 2022 në të njëjtën banesë me të akuzuarin, ku të dy merreshin me kultivimin dhe kujdesin për një plantacion kanabisi. Marrëdhënia mes tyre dyshohet se ishte karakterizuar nga debate dhe konflikte të shpeshta, të cilat, sipas versionit të prokurorisë, kulmuan natën e krimit pas një sherri për pesë euro.

Akuza pretendon se 52-vjeçari e sulmoi shqiptarin ndërsa ai ndodhej i shtrirë në shtrat, pa pasur mundësi të mbrohej. Pas vrasjes, ai dyshohet se e transportoi trupin drejt një zone pyjore, ku e la me qëllim që kafshët e egra, përfshirë derrat e egër dhe qentë endacakë, ta copëtonin dhe të vështirësonin identifikimin e tij.

Zbulimi i mbetjeve të shqiptarit u bë më 17 prill 2023, rreth gjashtë javë pas zhdukjes. Një person që po shëtiste qenin në një zonë të pyllëzuar pranë banesës hasi në mbetje kockore, të cilat më pas u identifikuan si të viktimës. Trupi i Artjol Ramajt nuk u gjet asnjëherë i plotë.

Për shkak të gjendjes së rënduar të

mbetjeve, ekspertët mjeko-ligjorë nuk arritën të përcaktonin të gjitha dëmtimet që mund të kishte pësuar i riu. Ata konstatuan vetëm një dëmtim traumatik në kokë, të cilin prokuroria e konsideron një prej plagëve që shkaktuan vdekjen.

“Gjendja e mbetjeve skeletore – skeletizimi i pjesshëm, shpërndarja anatomike dhe ndryshimet tafonomike nga mbledhja e mbetjeve – nuk na lejuan të përcaktonim se sa lëndime shkaktoi i akuzuari”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.

Gjatë hetimeve, pranë vendit ku u gjetën mbetjet u sekuestrua edhe një thikë. Ndërkohë, në banesë u zbuluan një peshqir, një mbulesë jorgani, një jastëk dhe një qilim që i përkisnin viktimës, të gjitha me njolla gjaku.

Gjurmë gjaku u konstatuan gjithashtu në dhomën e gjumit të shqiptarit, në një furgon që dyshohet se është përdorur për transportimin e trupit, si dhe në një palë pantallona të të akuzuarit, të gjetura brenda lavatriçes. Sipas organit të akuzës, 52-vjeçari kishte tentuar të pastronte dhomën për të eliminuar gjurmët që mund ta lidhnin me krimin.

Përveç dënimit me 22 vite burg e 5 muaj për vrasje, prokuroria kërkon edhe pesë muaj të tjerë burg për veprën penale të përdhosjes së kufomës.

Megjithatë, i akuzuari nuk pranon përgjegjësi dhe pretendon se është i pafajshëm. Avokatët e tij kërkojnë pushimin e çështjes, duke argumentuar se akuza mbështetet në një sërë provash rrethanore dhe se mungojnë prova të drejtpërdrejta që vërtetojnë përfshirjen e klientit të tyre në vrasje.

Prokuroria ka kërkuar gjithashtu dëmshpërblim financiar për familjen e viktimës: 140 mijë euro për prindërit dhe 35 mijë euro për motrën. Për familjarët, dhimbja e humbjes është rënduar edhe më shumë nga fakti se nuk kanë mundur të marrin dhe të varrosin trupin e të afërmit të tyre të plotë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit