Vrau të dy prindërit, Gjykata e denon me burgim të përjetshëm

Vrau të dy prindërit, Gjykata e denon…

Gjykata e Qarkut në Stokholm ka denuar me burgim të përjetshëm Adriatik Hadrin nga Prizreni për vrasjen e prindërve të tij, Durim dhe Suada Hadrin.

Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, ai duhet të iu paguajë edhe dëmshpërblim motrave dhe vëllezërve të tij.

“Gjykata e Qarkut e Stokholmit sot (22 mars) ka dënuar një burrë 37-vjeçar për vrasjen e prindërve të vet duke i qëlluar me nga një të shtënë në kokë me pistoletë. Incidenti ndodhi më 20 janar 2020 në qytetin e Prizrenit, Kosovë. Krimi është cilësuar si vrasje dhe dënimi është caktuar burgim i përjetshëm. Personi i dënuar gjithashtu duhet t’u paguajë dëmshpërblim vëllezërve dhe/ose motrave, të cilët janë lënë pa prindër”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas gjykatës, 37-vjeçari ka vrarë prindërit për përfitime financiare dhe se vrasjen e tyre e kishte planifikuar më parë.

“Dëshmitë kundër burrit 37-vjeçar kanë përfshirë, mes tjerash, materialin e gjerë nga telefoni i tij mobil dhe nga kompjuteri i tij. Nga dëshmitë ka dalë se 37-vjeçari ishte munduar të merrte silurë me qira para se vetë t’i kryente aktet. Ai ra në kontakt me armën e vrasjes duke e thyer kasafortën e prindërve të tij në shtëpi. Është zbuluar gjithashtu se 37-vjeçari mendonte se përmes vrasjes së prindërve do ta merrte kontrollin e aseteve familjare”, thuhet tutje në njoftim.

Në fund të janarit të vitit të kaluar, vendi ishte tronditur nga një vrasje e dyfishtë që kishte ndodhur në Prizren. Brenda shtëpisë së familjes Hadri në lagjen “Ortakoll”, ishin gjetur të vdekur Durim dhe Suada Hadri.

Ata kishin vite që jetonin e punonin në Suedi, derisa në Kosovë kishin ardhur për pushime.

Për vrasjen e tyre, i dyshuari i vetëm ishte djali i tyre, Adriatiku, i cili kishte ikur nga Kosova, menjëherë pas rastit. Ai ishte arrestuar nga autoritetet suedeze në mars të vitit të kaluar.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit