Vritet me thikë 24-vjeçari shqiptar në Itali

Vritet me thikë 24-vjeçari shqiptar në Itali

Një konflikt i nisur për motive xhelozie është shndërruar në një vrasje tragjike gjatë natës mes së dielës dhe së hënës në Vescovato, një komunë me rreth 4 mijë banorë në provincën e Kremonës, Itali.

Viktima është Nurjan Dalipaj, 24 vjeç, shtetas shqiptar, i cili humbi jetën pasi u godit disa herë me thikë në pjesën e fytit. Për ngjarjen është ndaluar një shtetas italian, 32 vjeç, pa precedentë penalë, i cili ndodhet i shtruar nën mbikëqyrje policore në Spitalin Maggiore të Kremonës, pasi mbeti i plagosur gjatë përleshjes.

Sipas rindërtimit paraprak të karabinierëve, konflikti kishte nisur disa orë më herët brenda një lokali në Kremonë, ku dy burrat u përfshinë në një debat të ashpër që degjeneroi në shtyrje dhe një përplasje fizike. Pas incidentit, 32-vjeçari u kthye në banesën e tij.

Pak më vonë, Nurjan Dalipaj mbërriti në Vescovato i shoqëruar nga disa prej vëllezërve të tij dhe u paraqit para banesës së rivalit. Në atë moment, 32-vjeçari doli jashtë me një thikë në dorë, duke çuar në një tjetër përleshje të dhunshme.

Sipas hetuesve, ai fillimisht goditi me thikë një nga vëllezërit e viktimës, i cili mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën. Më pas ai u kthye drejt Nurjan Dalipajt, duke e goditur të paktën tre herë në fyt.

24-vjeçari u transportua me urgjencë në spitalin e Kremonës në gjendje shumë të rëndë, por ndërroi jetë pak orë më vonë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën.

Hetimet e karabinierëve vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes. Dyshimi kryesor është se konflikti kishte në themel motive sentimentale. Sipas të dhënave të para hetimore, 32-vjeçari kishte pasur në të kaluarën një lidhje me partneren aktuale të viktimës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit