Ish-deputetja konservatore britanike dhe ish-ministrja e Burgjeve, Ann Widdecombe, është gjetur e vrarë në banesën e saj në Haytor, në jugperëndim të Anglisë. Sipas Policisë së Devon dhe Cornwall, 78-vjeçarja u gjet të enjten me lëndime të rënda, pasi shërbimet e emergjencës u thirrën në banesën e saj. Autoritetet kanë nisur një hetim për vrasje dhe po zhvillojnë ekzaminime të plota në vendngjarje, ndërsa janë vënë në kërkim të autorit të dyshuar. Sekretarja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, e cilësoi ngjarjen si “jashtëzakonisht shqetësuese”.
Ann Widdecombe ishte një nga figurat më të njohura të Partisë Konservatore, duke shërbyer si deputete në Dhomën e Komunave nga viti 1987 deri në vitin 2010 dhe si ish-ministre e Burgjeve. Ajo u bë e njohur për qëndrimet e saj të forta konservatore kundër abortit dhe zgjerimit të të drejtave të komunitetit LGBTQ+, ndërsa pas largimit nga politika fitoi popullaritet edhe për pjesëmarrjen në emisionet televizive “Strictly Come Dancing” dhe “Celebrity Big Brother”. Më vonë iu bashkua Brexit Party dhe më pas Reform UK, ku vazhdoi të ishte një zë i fortë në debatin publik.
Vdekja e saj ka shkaktuar reagime të shumta në Britaninë e Madhe. Ish-kryeministri Boris Johnson e përshkroi Widdecombe si një “mbështetëse heroike të Brexit-it” dhe një oratore të shkëlqyer që frymëzonte audiencat konservatore. Ndërkohë, kompania e saj e menaxhimit, Cloud9 Management, theksoi se jeta dhe karriera e saj udhëhiqeshin nga vlera të forta të krishtera dhe përkushtimi ndaj shërbimit publik, duke kujtuar edhe një nga shprehjet e saj më të njohura: “Jeta nuk është një provë gjenerale, shfrytëzo mundësitë që të pëlqejnë dhe provoji.” Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.