Një ngjarje e rëndë, që për pak sa nuk përfundoi me pasoja fatale, është regjistruar ditën e sotme në plazhin e Velipojës, ku një pushues mbi 65 vjeç u shpëtua falë reagimit të menjëhershëm të vrojtuesit të plazhit, Besfort Gjoklaj.
Sipas informacioneve paraprake, burri dyshohet se pësoi një atak teksa ndodhej në ujë. Në momentin kur u nxor nga deti nga vrojtuesi, ai ishte pa puls dhe pa frymëmarrje.
Besfort Gjoklaj ndërhyri menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke kryer manovrat e reanimimit kardiopulmonar (CPR). Pas disa minutash përpjekjesh, pushuesi rifitoi shenjat jetësore.
Më pas, ai iu dorëzua ekipit të Urgjencës, i cili e transportoi drejt spitalit për trajtim të mëtejshëm.
Ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e vrojtuesit shmangu një tragjedi, duke i shpëtuar jetën pushuesit dhe duke vënë në pah edhe një herë rëndësinë e pranisë së vrojtuesve në plazhe gjatë sezonit veror.