Vullnet Sinaj i del kundër Ramës për reformën territoriale

Vullnet Sinaj i del kundër Ramës për…

Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, ka shprehur hapur kundërshtimin ndaj propozimit që Bashkia Selenicë t’i bashkohet Bashkisë Vlorë në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale. Ai kërkon që Selenica të vijojë të funksionojë si njësi vendore e pavarur.

Në reagimin e tij publik, Sinaj argumenton se Selenica përmbush kriteret për të ruajtur statusin aktual si bashki, duke theksuar se vendimmarrja nuk duhet të mbështetet vetëm në analiza teknike, por edhe në interesin dhe vullnetin e banorëve.

Deputeti socialist iu referua raportit përfundimtar “Reforma Administrativo-Territoriale 2.0”, sipas të cilit Bashkia Selenicë renditet e 29-ta në vend për funksionalitet me një indeks 57.3 dhe po në vendin e 29-të për performancën ekonomike, me një indeks 42.2, mbi mesataren kombëtare.

Sinaj hodhi poshtë argumentin se numri i kufizuar i bizneseve justifikon bashkimin me një bashki tjetër, duke theksuar se Selenica ka burime të rëndësishme natyrore, si miniera e bitumit dhe zona naftëmbajtëse e Gorrishtit, të cilat i japin potencial të konsiderueshëm ekonomik.

Sipas tij, sfida nuk është mungesa e pasurive, por mënyra se si shpërndahen të ardhurat që gjenerohen prej tyre. Për këtë arsye, ai kërkoi rritjen e përqindjes së rentës minerare që u rikthehet bashkive, me synimin për të forcuar financat e pushtetit vendor.

“Bashkia Selenicë i plotëson të gjitha kriteret për të vazhduar të funksionojë me sukses si bashki më vete. Kuvendi duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të respektojë këtë realitet”, u shpreh Sinaj.

Reforma e re administrativo-territoriale pritet të ndryshojë hartën e pushtetit vendor në Shqipëri, ndërsa propozimet e saj kanë nisur të shkaktojnë debate jo vetëm në opozitë, por edhe brenda radhëve të mazhorancës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit