Përfundimisht, Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, vetëm në mendjet e votuesve të tij do të jetë i pari në listën e kandidatëve të kësaj partie. Sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri të cilin mbante Kurti në listë, dhe 21 kandidatët që nuk plotësuan kushtet ligjore, nga partitë e tjera, sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, do të mbeten bosh. Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, nuk kanë pranuar të ndryshojnë renditjen e listave të kandidatëve.
“Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që përmes organit më të lartë, Këshillit të Përgjithshëm, të mos ndryshojë radhitjen në listë edhe çfarëdo tendence tjetër, është e kundërligjshme”, u shpreh Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga LVV-ja.
Partitë kishin afat t’a ndryshonin renditjen e listave të shtunën në orën 16:00, por përfaqësuesit e këtyre tri partive thanë në KQZ, se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.
“Njoftimi ka përmbajtur edhe shënimin që në rast se listat e subjekteve politike me minus kandidatë, ku ka numra rendorë por mungojnë kandidatët, ato hapësira në broshurat e kandidatëve dhe në formularin e rezultatit të kandidatëve do të shënjohen me hijezim për të evituar vendosjen gabim të votave të kandidatëve”, deklaroi Ylli Buleshkaj, drejtor i Zyrës për Regjistrim e Certifikim të Partive.
Ndryshimi i renditjes së kandidatëve këtyre partive ju kërkua pasi në vendimin e Gjykatës Supreme sanksionohet se kandidatët që duhet të hiqen nga listat për shkak se kanë rënë ndesh me ligjin në tri vitet e fundit, nuk mund të zëvendësohen.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, tha se vendimet e gjykatës thjesht duhet të zbatohen.
“Por ne këtu nuk jemi, nuk jemi të komentojmë as vlerësojmë vendimet e instancave më të larta”, u shpreh Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.