
Xanax, një ndër barnat më të kontrolluara ligjërisht që përmban substancën aktive alprazolam, po shitet pa recetë në disa farmaci në Tiranë, në kundërshtim me ligjin. Ky medikament, që bën pjesë në grupin e benzodiazepinave dhe përdoret për trajtimin e ankthit, mund të shkaktojë varësi të fortë fizike dhe psikologjike kur përdoret pa mbikëqyrje mjekësore.
Mjekët specialistë e konsiderojnë këtë situatë alarmante, duke theksuar se përdorimi i pakontrolluar i Xanax-it mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin mendor dhe fizik të pacientëve. Janë dokumentuar raste të individëve që kanë zhvilluar varësi ekstreme ndaj këtij medikamenti, me konsum ditor shumë të lartë, duke e bërë trajtimin e varësisë të gjatë dhe kompleks.
Mjekja psikiatre Ariana Rreli e cilëson këtë situatë alarmante. Ajo shpjegon se marrja e Xanax-it pa përshkrim dhe pa ndjekje mjekësore është shumë e rrezikshme. “Ky ilaç krijon varësi të fortë, njësoj si drogat. Edhe kur jepet nga mjekët e përgjithshëm, duhet t’u bëhet shumë e qartë pacientëve se përdorimi i tij mund të çojë në varësi fizike dhe psikologjike,” u shpreh mjekja.
Autoritetet përgjegjëse theksojnë se shitja e këtij bari pa recetë përbën një shkelje serioze ligjore, e cila mund të ndëshkohet me gjoba të konsiderueshme duke nisur nga 100 mijë lekë.