Xhaka dëshiron me ngulm Milanin

Xhaka dëshiron me ngulm Milanin

Milani kërkon të rindërtojë mesfushën pas largimit të Reijnders dhe emri i Granit Xhakës është në krye të listës

Pas transferimit të Tijjani Reijnders te Manchester City, i cili debutoi dje në Botërorin për Klube, Milani ka nisur punën për të forcuar mesfushën. Objektivi kryesor i klubit kuqezi është Granit Xhaka, mesfushori i Bayer Leverkusen që shihet si profili ideal nga trajneri Massimiliano Allegri për të udhëhequr repartin në fjalë.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Xhaka ka një dëshirë të qartë: të vishet kuqezi. Edhe pse Milani nuk do të marrë pjesë në garat evropiane sezonin e ardhshëm, lojtari është i vendosur të nisë një aventurë të re dhe po ushtron presion mbi klubin gjerman për të lejuar transferimin. Ai përputhet me strukturën financiare të pagave që ndjek Milani, por marrëveshja mes klubeve ende nuk është arritur. Klubi italian ofron 10 milionë euro, ndërsa Leverkusen kërkon një shumë më të lartë për lojtarin që në shtator mbush 33 vjeç.

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka udhëtuar ditë më parë drejt Gjermanisë për të negociuar personalisht me Leverkusen për Xhakën. Megjithatë, Milani nuk e sheh këtë si përforcimin e vetëm në mesfushë.

Përveç eksperiencës që sjell Xhaka, klubi po mendon të shtojë edhe energji të re në mesfushë. Objektivi i radhës është Javi Guerra, 22-vjeçari i Valencias, një lojtar me profil sulmues dhe i aftë të depërtojë përpara portës, ashtu siç bënte Reijnders.

Valencia kërkon të paktën 25 milionë euro për talentin spanjoll, një shumë që mund të shkaktojë negociata të gjata. Por merkatoja është ende në fazat e para dhe Milani ka kohë për të tentuar ta bindë klubin spanjoll.

Plani është të ndërtohet një mesfushë që kombinon eksperiencën me dinamizmin. Allegri dëshiron të krijojë një bërthamë të qëndrueshme në qendër të fushës, dhe për këtë kërkon lëvizje të mirëplanifikuara.

Xhaka përfaqëson liderin që mund të vendosë ekuilibrin në mesfushë, ndërsa Guerra do të ishte elementi që sjell energji, kthjelltësi dhe potencial për të ardhmen. Kombinimi i tyre do të ofronte zgjidhje afatshkurtra dhe afatgjata për Milanin.

Edhe pse mungesa në kompeticionet evropiane mund të shihet si pengesë, projekti sportiv i Milanit, bashkë me prestigjin e fanellës kuqezi, duket se po tërheq emra të rëndësishëm.

Pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse Milani do të arrijë të realizojë dyshën Xhaka-Guerra. Nëse ndodh, Allegri do të ketë në dispozicion një mesfushë të re, të balancuar dhe të përgatitur për sfidat e sezonit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit