
Portali TPZ.al që është në pronësi të gazetarit Ylli Rakipi, ka bërë një sondazh për të shpallur njeriun e vitit për 2020-n dhe ka zgjedhur në këtë rol ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetajn.
Në tekstin ironizues theksohet se: “Pas vëzhgimeve, hulumtimeve dhe konsultimeve të gjera, redaksisë tonë i rezulton se në këtë vit të mbrapshtë, për mbarë njerëzimin, por veçanërisht për Shqipërinë, Arben Ahmetaj, ka qenë i vetmi, që jo vetëm i ka mbijetuar të gjitha fatkeqësive, por ka dalë gjithmonë në krye, duke marrë detyra me rëndësi madhore, pra si të thuash, njeriu i vetëm që ka bërë ‘lart e më lart”.
Ndërkaq, në një video janë renditur, sipas TPZ-së meritat e veçanta që e kanë bërë Ahmetajn të marrë këtë çmimi nga portali në pronësi të Rakipit, që natyrisht kanë notat e thella të ironisë dhe talljes.
“NJERIU i VITIT 2020 – ARBEN AHMETAJ”
Merita të veçanta për:
–Gradim në kohë kolere: Në çdo fatkeqësi që i ndodh Shqipërisë, ai caktohet ministër fuqiplotë i saj.
–Raporti me pasurinë: Edhe kur ikën me vrap, paraja e ndjek këmba-këmbës.
–Është magnet për biznesmenët: Ka udhëtuar në makinë me 500 biznesmenë, që edhe i ka shokë edhe nuk i njeh.
–Shije të hollë në veshje: E ka lënë Edi Ramën shumë mbrapa, në modë, stil, çmim dhe cilësi plaçke.
–Njeriu më me fat në botë: Po ta hedhësh nga avioni, nga çdo lartësi, ai bie vetëm në këmbë.
–Reputacion absolut në botën femërore: Është shpallur si “tigri” më dominant në Tiranë dhe më gjerë.