Arrestimi i Ylli Zallës në Krujë, i shoqëruar me forca të RENEA-s dhe struktura të tjera të Policisë së Shtetit, u prezantua me bujë si një tjetër sukses i uniformave blu. Por ajo që ka deklaruar vetë Zalla para gjykatës ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si u paraqit operacioni.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, përgëzoi Policinë e Shtetit për arrestimin, Zalla ka dhënë një version krejt tjetër. Sipas tij, nuk ka pasur ndonjë “kapje” spektakolare, pasi ai pretendon se është vetëdorëzuar dhe se po priste ardhjen e policisë.
“Jam vetëdorëzuar, i prisja që të vinin. Isha aty afër. Policia e Shtetit, policia e Tiranës edhe e Krujës më kanë futur në hasmëri me gjithë zonën dhe duan të më vrasin”, ka deklaruar Zalla para gjykatës.
Nëse ky version rezulton i saktë, atëherë lind një pyetje e thjeshtë: ku është operacioni i madh për të cilin u përgëzua Policia?
A duhet një angazhim i forcave RENEA dhe një operacion i prezantuar publikisht si sukses i madh për të arrestuar një person që, sipas dëshmisë së tij, thjesht po priste efektivët për t’u dorëzuar?
Kontrasti është i fortë. Nga njëra anë kemi propagandën e zakonshme të “suksesit të radhës” të Policisë së Shtetit, ndërsa nga ana tjetër kemi deklaratën e personit të arrestuar, i cili pretendon se nuk është kapur duke u arratisur apo pas ndonjë përplasjeje me policinë, por është dorëzuar vetë.
Ndërkohë, përtej mënyrës së arrestimit, Zalla do të përballet me drejtësinë për çështjen e armëve dhe municionit të sekuestruar në pronën e tij. Gjykata ka vendosur ndaj tij masën “arrest në burg”, ndërsa pretendimet e mbrojtjes për vjetërsinë dhe gjendjen e armëve nuk janë pranuar.