Në Shqipëri, çdo institucion që duhet të jetë i pavarur përfundon gjithmonë te noterja e partisë, por këtë herë karriget e reja në Komisionin e Prokurorimit Publik ose ndryshe “Gjykata e Tenderave” e kanë kaluar çdo kufi të turpit. Në krye të institucionit që vendos fatin e qindra miliona eurove të taksave tona, është ulur Ismail Shehu, i cili nuk është thjesht një zyrtar i radhës, por zari i besuar i ish ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Dhe meqenëse një zar i vetëm nuk mjafton për të ngrënë tortën e tenderave, dyshja drejtuese plotësohet nga Donika Daci në postin e nënkryetares, e cila lidhet me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxha. Inovacioni i vetëm këtu është se si ministrat vazhdojnë të ndajnë plaçkën e shtetit ndërkohë që qytetarëve u flasin për meritokraci dhe transparencë.
Për ta bërë shfaqjen e marionetave të plotë, në këtë Komision janë rehatuar edhe Nertil Kanina, emri i afër i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, dhe Edvin Simo, besniku i afërt i Niko Peleshit. Të gjithë bashkë formojnë një tufë klientelistësh ku secili ka kapur nga një fije të perit, ndërkohë që “pavarësia” e institucionit mbetet thjesht një shaka e hidhur për të qeshur nëpër kafene. Kur “gjykata” që duhet të gjykojë ankesat e tenderave mbushet me argatët e qeverisë, është e qartë se e vetmja gjë që prokurizohet me sukses këtu është tallja e hapur me qytetarët.