Zbardhet dëshmia e 68-vjeçarit që vrau gruan: E godita me th*kë në zemër se më gënjeu

Zbardhet dëshmia e 68-vjeçarit që vrau gruan:…

Zbardhen detaje nga dëshmia e Hysni Palushit, 68-vjeçarit të arrestuar për vrasjen me thikë të bashkëshortes së tij, 58-vjeçares Lumturie Patushi, në Tiranë.

Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, Palushi ka deklaruar se mes çiftit kishte pasur konflikte të vazhdueshme dhe se në momentin e ngjarjes, gjatë një debati, e kishte goditur bashkëshorten me thikë.

“Në debat e sipër e kam goditur me thikë në zemër”, mësohet të ketë deklaruar 68-vjeçari para hetuesve.

Sipas dëshmisë së tij, një prej shkaqeve të konflikteve ishte fakti që Lumturie Patushi qëndronte në banesën e vajzës së tyre, ku kujdesej për dy nipërit, dhe jo në shtëpinë e çiftit në zonën e “Don Boskos”. Palushi ka deklaruar se i kishte kërkuar disa herë të kthehej në banesën e tyre, por ajo kishte refuzuar.

Paraditen e ngjarjes, 68-vjeçari ka telefonuar bashkëshorten dhe, sipas versionit të tij, ajo i kishte thënë se ndodhej në zonën e TEG-ut. Më pas, ai është drejtuar për në banesën e vajzës, ku ka gjetur bashkëshorten. Fakti që e ka gjetur aty dhe jo në vendin ku, sipas tij, i kishte thënë se ndodhej, ka sjellë një tjetër debat mes tyre.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:20, në rrugën “Panorama”, në një kompleks banimi pranë shkollës “Harry Fultz” në Tiranë. 58-vjeçarja u godit me thikë dhe u transportua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Pas ngjarjes, Palushi u largua nga vendi, ndërsa u lokalizua dhe u arrestua disa orë më vonë në zonën e Kamzës. Sipas hetimeve, dyshohet se në momentin e krimit ai mund të ketë qenë në gjendje të dehur.

Pranë pallatit ku ndodhi ngjarja, policia ka sekuestruar një thikë, e cila dyshohet se është përdorur në krim. Sipas të dhënave të deritanishme, 68-vjeçari dyshohet se e ka hedhur armën e ftohtë në rrugë përpara se të largohej.

Ndërkohë, dhëndri i familjes, i cili ndodhej pranë zonës në momentin e ngjarjes, është shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje dhe për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave.

Për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes pritet të merren në pyetje edhe dy nipërit, 10 dhe 14 vjeç. Për shkak të moshës së tyre, dëshmitë do të merren në praninë e psikologut.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton gjithashtu se Hysni Palushi ishte arrestuar edhe në vitin 2017 për dhunë në familje.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e rrethanave që çuan në vrasjen e 58-vjeçares.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit