
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë ku humbi jetën 20-vjeçari Stiven Toshkezi. Njëri prej autorëve të ngjarjes, Enzi Maze ka folur përpara oficerëve të policisë gjyqësore dhe ka zbardhur dinamikën e ngjarjes si dhe shkakun që i çoi të vrisnin Stivin.
Maze ka deklaruar se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me viktimën, por ishte vënë në dijeni të konfliktit nga shoku i tij, Aksel Hoxhaj, i cili ende ndodhet në arrati. Më tutje ai ka thënë se ishte Aleksi ai i cili kërkoi të shkonte me të dhe të përballeshin me Stivin, pasi ky i fundit e kishte rrahur para ca javësh.
“Kam vetëm pak ditë që jam kthyer nga Holanda ku vazhdoj studimet e larta . Pasi takova Akselin ai më tregoi se para disa kohësh ka pasur një konflikt me Stivin dhe më tha se e ka rrahur”, ka deklaruar ai.
Më tej Enzi Maze ka deklaruar se motivi i konfliktit të tyre ishte një vajzë, të cilën e pëlqente Akseli, dhe e kishte në të njëjtën klasë, por ajo ishte në një marrëdhënie me viktimën.
Maze tregon se u përpoq t’i ndaj dy djemtë por situata ka agravuar dhe më pas Aleksi goditi Stivin.
Akseli njihej si person problematik në zonë dhe shkollë, ndërsa Maze ka deklaruar se miku i tij i ka shprehur se do të takoheshin me viktimën, por nuk kishin lënë një datë fikse. Ndërsa natën e ngjarjes i kanë bërë prite. Ai ka deklaruar se do shkonte me shokun vetëm për t’u sqaruar.