Vendimi i drejtorit të Përgjithshëm, Ismaili, është marrë më 23 maj pas një përplasje që të arrestuarit patën me policët gjatë një kontrolli të ushtruar në qelitë e tyre, ku janë gjetur celularë të futur ilegalisht brenda burgut. Zbulimi i celularit ka sjellë më pas irritimin e të burgosurve, veçanërisht pjesëtarët e grupit “Avdylaj”. Këta të fundit, sipas burimeve nga Burgjet, mësohet se kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, pasi i gjetën celularin.
KONTROLLI QË SHKAKTOI KAOS TE “313”-TA
Një javë më parë, Drejtoria e Burgjeve mësohet se ka urdhëruar që në paraburgimin “313”, që ndodhet në rrugën “Jordan Misja”, në Tiranë, të ushtrohej një kontroll. Sipas burimeve, ky urdhër është dhënë në orët e vona të natës, ndërsa punonjësit e Policisë kanë zbatuar urdhrin për kontroll.
Dyshimet ishin se në këtë IEVP ishin futur sende të paligjshme dhe se duheshin gjetur nga ana e punonjësve të Policisë. Gjatë kontrollit të ushtruar, policët e Burgjeve janë futur në sektorin ku qëndrojnë të arrestuarit e dosjes “339”.
Burimet thanë se gjatë kontrollit të ushtruar në këtë sektor u kanë gjetur të burgosurve, dyshohet pjesëtarëve të grupit “Avdylaj”, aparate celularë. Punonjësit e Policisë kanë kërkuar dorëzimin e celularit nga ana e personit që e kishte, por janë hasur në kundërshtimin e tyre. Sipas Burgjeve, të paraburgosurit, Hajri Seferi, Astrit Avdyli, Altin Avdyli, Saimir Gjepali dhe shtetasi italian Giovani di Cosimo, kanë kundërshtuar kontrollin e policëve, madje duke i fyer dhe kërcënuar ata pas gjetjes së celularit. Sipas burimeve për gazetën “Panorama”, kontrollet e ushtruara në këtë sektor kanë qenë të shpeshta gjatë kohëve të fundit, për shkak se ka pasur informacione se në institucion mbahen sende të paligjshme, kryesisht celularë.