Zbardhet misteri i vdekjes së shqiptarit të gjetur në rrugë, flet një dëshmitar

Zbardhet misteri i vdekjes së shqiptarit të…

Është duke shkuar drejt sqarimit misteri i shqiptarit 39-vjeçar Mikel Gjini, i gjetur i vdekur në rrugë të premten e kaluar, në rrugën Ticchioni në Ferrara, Itali.

Dje u përfundua autopsia e trupit të muratorit, pasi një ditë më parë ishin kryer testet radiologjike që konfirmuan një seri frakturash e traumash, që ishin shkaktare të vdekjes. Sidoqoftë, nuk ishte kjo pika që duhej sqaruar, por nëse frakturat e traumat ishin shkaktuar nga ndonjë makinë apo nga rënia nga lartësia.

Kjo e fundit ka qenë hipoteza më e mundshme për policinë që kur një dëshmitar deklaroi se atë ditë po kalonte në rrugën Ticchioni dhe pikërisht nga pallati ku banonte muratori kishte parë të binte një trup në rrugë.

Kjo ishte një dëshmi kyç për hetuesit që deri atëherë kishin supozuar shtypjen nga ndonjë pirat rrugësh, edhe pse kishin dyshime të forta për këtë, pasi nuk kishte gjurmë gomash, ndërkohë që vëzhgimi i regjistrimeve të kamerave nuk tregonte kalim makinash para pallatit të muratorit.

Dje u mor konfirmimi se vdekja ishte shkaktuar nga trauma të shumta të shkaktuara nga rënia nga një lartësi e madhe, nga pallati ku banonte prej dy vjetësh e gjysmë.

Për policinë nuk ka dyshime që bëhet fjalë për një akt të vullnetshëm të viktimës, jo i shkaktuar nga dikush tjetër që mund të ketë qenë me të në ato momente. Megjithatë, kjo hipotezë nuk pranohet nga prindërit, motra dhe kushërinjtë, të cilët kanë përsëritur se nuk kishin vë re te Mikeli shenja stresi apo depresioni për të përligjur një veprim të tillë.

Edhe kushtet në të cilat ka ndodhur: të premten ai bëri dush e më pas përgatiti valixhen pasi të nesërmen do të nisej për te familja në Shqipëri, prej nga do të kthehej në Itali bashkë me gruan e fëmijët.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit