Zbardhet ngjarja/ Polici vrau Klodian Rashën edhe pse 25-vjeçari s’kishte armë, tradhtohet nga kamera

Zbardhet ngjarja/ Polici vrau Klodian Rashën edhe…

Nevaldo Hajdaraj, efektivi i forcave “Shqiponja”, i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës, dyshohet se ka qëlluar drejt 25-vjeçarit, edhe pse e dinte që ai ishte i paarmatosur.

Grupi i hetimit ka mbërritur në këtë konkluzion, pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerës së sigurisë, që ka fiksuar krimin e 8 dhjetorit 2020.

Ky duket se do të jetë edhe argumenti kryesor mbështetës i prokurorisë për akuzën e “vrasjes me dashje” ndaj efektivit Hajdaraj, që pritet t’i komunikohet në ditët në vijim.

Burime pranë grupit të hetimit konfirmuan se, referuar pamjeve filmike, efektivi i policisë ka mundur ta kapë të riun pak hapa larg vendit të ngjarjes.

Në këtë moment, shquhet polici të kapë nga duart Rashën, sipas burimeve, mjaftueshëm për të vërejtur nëse kishte apo jo armë. Sipas burimeve, 25-vjeçari ka shpëtuar dhe tentuar të largohet, kur edhe është qëlluar drejt tij.

Prokuroria ka përfunduar të gjitha verifikimet dhe pyetjet e dëshmitarëve dhe ka dalë në përfundimin se nuk ka pasur njohje mes Klodian Rashës dhe Nevaldo Hajdarajt. Ndërsa pistoleta e gjetur në një pellg me ujë në rrugicën ku vrapoi 25-vjeçari, pak çaste para se të qëllohej, nuk do të dërgohet për ekspertizë të specializuar jashtë vendit.

A2 mësoi se një ekspert gjerman, pasi është njohur më gjithë procedurën që i është nënshtruar arma, që nuk i dihet pronari, në Shqipëri, ka vlerësuar se nuk është i nevojshëm më ekspertim tjetër i saj.

Po ashtu, nuk rezulton që arma tip “Zoraki” të jetë përdorur në ndonjë ngjarje tjetër kriminale në vend. Prokuroria është në fazën fundore të hetimit për Nevaldo Hajdarajn dhe pritet që pas komunikimit të akuzës, të veçohet hetimi për pistoletën “enigmatike”.

/A2 News/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit