
Një ngjarje e rëndë e ndodhur në Voskopojë 7 vite më parë, e raportuar fillimisht si vetëvrasje, rezulton të ketë qenë një vrasje e mirëorganizuar.
Kejsi Spaillari, një e re nga Korça, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Prokuroria e Korçës ka lëshuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest me burg”, nën akuzën e vrasjes me dashje, kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve të thelluara, Spaillari në atë kohë 18 vjeçe, dyshohet se së bashku me të dashurin e saj, Rexhep Vathin, kanë vrarë Antonio Karafilin, me të cilin Kejsi kishte një lidhje paralele. Prokuroria njofton se Karafili është mbytur me çarçaf nga dy të rinjtë, dhe më pas trupi i tij është varur në një pishë, me qëllim që ngjarja të paraqitej si vetëvrasje.
Për zbardhjen e ngjarjes, një rol kyç ka luajtur një gjurmë ADN-je e Kejsi Spaillarit, e gjetur në çarçafin me të cilin ishte mbytur viktima. Kjo provë ka qenë vendimtare për identifikimin e autores dhe lidhjen e saj me vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, për bashkëpunëtorin e saj në krim, Rexhep Vathi, nuk është lëshuar masë sigurie, pasi ai ka ndërruar jetë në gusht të vitit 2024, kur u vetëvra.
Kejsi Spaillari prej disa vitesh ndodhet jashtë territorit shqiptar dhe aktualisht jeton në Kanada, ku ka ndërtuar një jetë të re. Prokuroria ka kërkuar lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe po bashkëpunon me autoritetet kanadeze për lokalizimin dhe ekstradimin e saj.