Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e ndodhur në Pogradec, ku mbeti i plagosur në këmbë me armë zjarri 35-vjeçari Brian Syzo. Autoritetet bënë të ditur se njëri prej autorëve, Nikolla Agolli, u ndalua pak momente pas ngjarjes, ndërsa më pas në pranga ra edhe bashkëpunëtori i tij, David Prifti.
Sipas hetimeve të Policisë së Korçës dhe Komisariatit të Pogradecit, në bashkëpunim me Prokurorinë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të konflikteve të mëparshme mes palëve, ku autorët kanë qëlluar ndaj 35-vjeçarit teksa ai ndodhej në automjetin e tij të parkuar në lagjen nr. 3 të qytetit. Dy persona të tjerë, M. B., 40 vjeç dhe E. A., 22 vjeç, janë shpallur në kërkim si të përfshirë në ngjarje.
Policia njofton se të katër të dyshuarit kanë precedentë penalë për krime kundër personit, ndërsa gjatë hetimeve janë sekuestruar tre automjete dhe gjashtë aparate celularë si prova materiale. 35-vjeçari vijon të marrë trajtim mjekësor, ndërsa ndaj të dyshuarve rëndojnë akuzat për “vrasje me paramendim” të mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, si dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”.