Një zbulim i rrallë është bërë gjatë një ekspedite speleologjike në Parkun Kombëtar të Llogarasë, ku eksploruesit kanë identifikuar një zgavër të re me thellësi rreth 70 metra, pothuajse tërësisht vertikale.
Zbulimi u bë në shpellën “Sterra e Kujunxhiut”, një prej formacioneve karstike më pak të eksploruara të zonës.
Sipas pjesëmarrësve në ekspeditë, në fund të zgavrës është konstatuar një grumbull i madh gurësh, i cili dyshohet se ka bllokuar vazhdimin natyror të galerisë, duke lënë të hapur mundësinë që shpella të shtrihet edhe më thellë.
Gjatë eksplorimit janë gjetur gjithashtu eshtra të shumta kafshësh të egra, mes tyre të derrit të egër, drerit, ujkut, dhelprës dhe specieve të tjera që kanë banuar ose kanë rënë në këtë sistem natyror ndër vite.
Ekspertët besojnë se ky zbulim mund të ketë rëndësi të veçantë si për studimet speleologjike, ashtu edhe për kërkimet mbi faunën dhe historinë natyrore të zonës.
Ekspedita pritet të pasohet nga kërkime të tjera, me synimin për të verifikuar nëse zgavra vijon më tej dhe për të dokumentuar plotësisht karakteristikat gjeologjike dhe biologjike të këtij sistemi nëntokësor.
Parku Kombëtar i Llogarasë konsiderohet një nga zonat me biodiversitetin më të pasur në Shqipëri dhe zbulime të tilla hedhin dritë mbi pasurinë ende të paeksploruar që fshehin nëntoka dhe masivet shkëmbore të tij.