
Policia spanjolle zbulon laborator droge që prodhonte 30 kg kokainë në ditë, arrestohen 25 persona, përfshirë shtetas shqiptarë
Një megaoperacion i zhvilluar nga autoritetet spanjolle ka zbuluar një laborator të përmasave industriale për prodhimin e kokainës në Valencia, ku janë arrestuar 25 persona, përfshirë edhe dy shtetas shqiptarë. Laboratori kishte kapacitetin për të prodhuar deri në 30 kilogramë drogë në ditë, duke u kthyer në një nga burimet më të mëdha të shpërndarjes së kokainës në rajon.
Të ndaluarit janë kryesisht 12 kolumbianë, nëntë shtetas spanjollë, si dhe një meksikan dhe një italian. Gjatë operacionit, policia kreu 12 kontrolle në tetë vende të ndryshme në provincën e Valencias, duke sekuestruar sasi të konsiderueshme parash dhe droge.
Në total, u konfiskuan 32.735 euro para kesh, mallra të falsifikuara me vlerë 38.850 euro, 38.2 kilogramë bazë kokaine, 7.4 kilogramë kokainë e përpunuar, 87 gramë hashash dhe 94 gramë marijuanë. Autoritetet raportuan gjithashtu sekuestrimin e një arsenali të tërë armësh dhe municionesh.
Në pranga përfunduan persona të dyshuar për rolet e tyre në strukturën kriminale, ndërsa hetimet zbuluan se organizata kriminale zotëronte dy hanxharë, katër pistoleta, një revolver, një armë gjahu, 30 karikatorë, midis 500 dhe 1.000 fishekë, një silenciator, si dhe mjete të tjera kriminale si jelekë policie, pajisje gjurmuese, 28 telefona celularë dhe shumë karta SIM.
Aksioni i policisë spanjolle nisi në korrik të vitit 2024, pas dyshimeve për aktivitet të paligjshëm të një kompanie spanjolle, e cila përdorte portin e Valencias për të trafikuar drogë. Kompania kishte lidhje tregtare me një eksportues të njohur për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
Sipas mediave spanjolle, hetimi është ende në vijim, por tashmë është bërë e ditur se udhëheqësi i rrjetit kriminal është ndaluar. Kjo goditje e rëndë ndaj rrjeteve të trafikut tregon vendosmërinë e autoriteteve spanjolle për të goditur rrënjët e krimit të organizuar që shtrihet përtej kufijve të shtetit.