Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e mbrëmjes së sotme në Durrës. Viktima është identifikuar si Valbon Beqiraj, 51 vjeç.
Sipas burimeve, pikërisht nipi i tij ka qenë ai që ka zbuluar skenën e tmerrshme, duke e gjetur trupin e pajetë të Beqirajt brenda banesës në lagjen nr.12.
Ngjarja është raportuar mbrëmjen e kësaj të mërkure, ndërsa forca të shumta policie mbërritën menjëherë në vendngjarje. Zona u rrethua për orë të tëra, ndërsa ekspertët e kriminalistikës po kryejnë veprimet hetimore për të zbuluar rrethanat dhe motivet e vrasjes.
Sipas të dhënave paraprake, viktima është goditur me armë të ftohtë, thikë. Megjithatë, autorët dhe motivi i krimit mbeten ende të paqartë.
Policia ka marrë në pyetje familjarë dhe persona të afërt të viktimës, ndërsa pritet që kamerat e sigurisë në zonë të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.