Misterit të madh që kishte përfshirë së fundmi rrjetet sociale dhe bisedat e kafeneve i erdhi fundi: Është zbuluar më në fund identiteti i “sugar daddy”-t miliarder që financoi blerjen e një apartamenti luksoz te Komuna e Parisit për vajzën nga fshati që erdhi në kryeqytet me ëndrra të mëdha dhe një dhi në krahë.
Burime tejet të besueshme nga shezlongët e jugut konfirmojnë se bosi në fjalë, i cili preferon të mbetet anonim për shkak të “punëve të shtetit”, u fotografua duke negociuar me bankierët përmes një iPhone-i, i veshur thjesht dhe me modesti vetëm me një palë mbathje të bardha pambuku.
“Dukja nuk është gjithçka,” deklaroi një nga dëshmitarët okularë që e pa nga afër. “Ndoshta nuk kishte me vete as portofol, por ajo mjekër e bardhë dhe ajo nxirje dielli ulërasin ‘likuiditet i pakufizuar në pasuri të patundshme’.”
Nga ana tjetër, vajza me dhi në krahë, e cila tashmë identifikohet si influencuese e stilit të jetesës “farm-to-table”, ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale duke hedhur poshtë të gjitha thashethemet dashakeqe të zilisë provinciale.
“Të gjithë thonë se ma bleu ai,” u shpreh ajo duke përkëdhelur dhinë e saj me manikyrat e sapobërë në Astir. “Kjo është gënjeshtër e pastër! Unë këtë apartament e kam blerë me punën time të ndershme, duke kursyer çdo ditë nga një kafe, si dhe falë financimit nga një grant bujqësor për zhvillimin e blegtorisë urbane nëpër ballkone.”
Sipas raportimeve, apartamenti me sipërfaqe 120 metra katrorë përfshin edhe një hapësirë të posaçme me bar natyral në sallon për dhinë, ndërsa investitori luksoz ka premtuar se po mendon të financojë edhe një penthouse të dytë te Rruga e Elbasanit, nëse vajza vendos të marrë edhe një lopë me vete.