Një grup shkencëtarësh nga Italia kanë konfirmuar zbulimin e një shpelle në Hënë!
Ata e kanë konfirmuar këtë gjë ditën e djeshme, duke thënë se ka prova të një shpelle të përmasave të mëdha, hyrja e të cilës është rreth 400 km larg nga vendi ku u ul misioni ‘Apollo 11’. Shkencëtarët kanë besim se në hënë mund të ketë qindra shpella të ngjashme, të cilat në të ardhmen mund të përdoren për strehim nga astronautët.
Radarët kanë treguar vetëm pjesën fillestare të zgavrës në hënë, por sipas vlerësimeve mendohet se shpella është të paktën 40 metër e gjerë dhe disa metra e gjatë.
Astronautët e NASA planifikojnë që brenda një dekade të zbresin në polin jugor të hënës, ku mund të zbulojnë shpella të ngjashme. Ndërtimi i vendbanimeve të para në hënë do të kërkojë ende kohë dhe është një sfidë, por ajo që po merret parasysh është nevoja për përforcimin e mureve të shpellës për të parandaluar shembjen e saj, thanë anëtarë të ekipit.