Zbulohet rrjeti: 2 motra pronare hotelesh në Laprakë drejtonin trafikun e imigrantëve të huaj drejt BE

Zbulohet rrjeti: 2 motra pronare hotelesh në…

Policia e Tiranës ka arrestuar pesë persona, tre nga të cilat gra, të cilët kishin një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të imigrantëve të huaj që hynin në Shqipëri nga Greqia me synim vendet e BE-së.

Dy motra, Drita Shehu, 55 vjeçe dhe Sanije Shehu, 64 vjeçe kishin angazhuar fëmijët dhe nipërit e tyre në këtë trafik duke i transportuar imigrantët, duke i strehuar dhe pajisuar me dokumente për t’i përcjellë për në vendet e BE-së.

Bashkë më to u arrestuan edhe Anamaria Mihallari, 24 vjeçe, Sterjo Germenji, 26 vjeç dhe Rigers Vejsiu, 26 vjeç. Po ashtu u proceduan dhe 2 persona të tjerë.

Policia e Tiranës njoftoi se zhvilloi operacionin “Complex” kundër veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Gjatë tij u sekuestruan 72 pashaporta, 37 leje qëndrimi, 2 mjete identifikimi, 2 automjete, një shumë parash dhe sende të tjera të kundraligjshme.

Policia tha se “në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, ka finalizuar operacionin policor “Complex”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve S.G, 26 vjeç, A.M, 24 vjeçe, D.Sh, 55 vjeçe, S.Sh, 64 vjeçe dhe R.V, 26 vjeç.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se me mjete e tyre private kundrejt shpërblimit monetar, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm nga kufiri greko-shqiptar në zonën e Devollit drejt Tiranës.

Emigrantët e paligjshëm pasi strehoheshin nga shtetaset Drita Shehu dhe Sanije Shehu, motra me njëra-tjetrën, në hotelet e tyre në zonën e Laprakës, bënin organizimin e tyre në bashkëpunim dhe me Rigers Vejsiun, djalin e Drita Shehut dhe më pas nisjen e tyre kundrejt pagesës, në drejtim të Kukësit me qëllim kalimin e tyre në Kosovë,me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Gjithashtu, këta shtetas, përveç trafikimit të emigrantëve të parregullt, kishin të organizuar edhe një linjë tjetër trafikimi të shtetasve të huaj, që hynin me dokumentacion të rregullt në vendin tonë për qëllime turistike apo punë me leje qëndrimi, të cilët pasi hynin në mënyrë të rregullt nga aeroporti i Rinasit, këta shtetas organizonin trafikimin e këtyre.

Ata dyshohet se gjatë veprimtarisë së tyre disavjeçare kanë trafikuar një numër të konsiderueshëm emigrantësh të paligjshëm dhe të personave që hynin në vendin tonë me dokumentacion të rregullt.

Në vijim të operacionit, pasditen e djeshme, në hyrje të Tiranës, janë kapur në flagrancë Sterjo Gërmenji dhe Anamaria Mihallari, me dy automjete duke transportuar katër emigrantë të paligjshëm.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit