
Që politika shqiptare është një reality show me skenarë të çuditshëm, këtë e dinim. Por historia me Zegjine Çaushin po kalon çdo kufi fantazie.
Vetëm pak orë më parë, rinumërimi i votave në Fier i rrëzoi ëndrrën deputetes me energji të gjallë “TikTok-u”, Zegjinesë, e cila doli jashtë loje për vetëm 10 vota. Në vend të saj, mandatin e përfitoi Maldrita Bardho, një farmaciste e thjeshtë që, me sa duket, nuk ishte shumë e etur për kolltukun e deputetit, ose ndoshta mori ndonjë telefonatë…
Maldrita dha dorëheqjen nga mandati i deputetes, duke ia lënë me përulësi dhe “kënaqësi të thellë” vendin shoqes së partisë, Zegjinesë së famshme.
Në një postim të gjatë e të ëmbël në Instagram, që të kujton letrat e dashurisë së klasës së gjashtë, Maldrita thotë:
“E mora këtë vendim shumë më përpara rinumërimit… por tani u përforcua… Me shumë kënaqësi ia lë vendin mikeshës time Zegjine, që u sakrifikua për skuadrën… dhe meriton të jetë në Kuvend”.
Ajo që është më interesante është që dorëheqja u “mendua më përpara”, por në mënyrë të çuditshme u shpall vetëm pasi Zegjinea i humbi votat me rinumërim.
Si të mos mjaftonte e gjithë kjo, kujtojmë se në rinumërim Zegjinea humbi mandatin në emër të “drejtësisë elektorale”, por tani ajo rikthehet në parlament si një “feniks i rilindur nga hiri socialist”.
Në këtë vend, ku “kontributi”, “miqësia” dhe “vullneti i lirë” janë justifikime luksi për pazaret politike, jetojmë një reality show që quhet Parlament. Asgjë s’mbaron me votë, mbaron vetëm kur partia thotë: “Prisni, ndryshuam mendje. Ri-xhironi skenën!”
Sepse këtu jo populli, por skenari ka gjithmonë fjalën e fundit.