Zgjedhjet në Greqi/ Kandidatët shqiptarë nuk morën as votën e emigrantëve

Zgjedhjet në Greqi/ Kandidatët shqiptarë nuk morën…

Në zgjedhjet e së dielës mbajtur në Greqi për mandatet parlamentare, garonin edhe 7 kandidatë me origjinë shqiptare. Fatos Malaj dhe Niko Bilika kandiduan për partinë PASOK, njëri në Athinë dhe tjetri në Selanik. Ndërkohë Adiljan Koxhaj, Makrina Koci dhe Angjelos Jahollari garuan me “Syriza” në Selanik dhe Evia, Sidorela Kalthi ishte kandidati i Partisë Komuniste greke në Kretë dhe Paty Vardhami në Athinë me nismën “MERA 25”. Nga 300 vende që ka parlamenti grek, asnjë nuk është rezervuar për kandidatët shqiptarë që garonin me partitë opozitare.

Ndonëse ishin mijëra emigrantë shqiptarë me të drejtë vote në këto zgjedhje, vullneti i tyre nuk ka shkuar për bashkëkombasit. Sipas të dhënave, vetëm 8 mijë shqiptarë nga mbi 126 mijë që janë në të gjithë Greqinë me pasaporta greke, kanë shkuar në votime. Analistët zgjedhor tregojnë se historikisht vota e emigrantëve shqiptarë ka shkuar për partinë në pushtet.

Kandidatët shqiptarë premtonin se do të ndihmonin komunitetin e tyre për të fituar më shumë të drejta dhe lehtësi në dokumenta, punësim dhe integrim në shtetin grek. Mirëpo këto premtime nuk kanë bindur shqiptarët në Greqi të dalin në votime për të mbështetur bashkëkombasit e tyre që kërkonin një vend në parlament.

Greqi mund të shkojë sërish në zgjedhje pasi partia fituese nuk ka mandatet e plota për të krijuar qeverinë dhe se nuk ka arritur të bind partitë opozitare për t’u bashkuar qeverisjes së tyre.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit